Tech

Evoluimi i ri i baterive të ngurta mund ta dyfishojë dendësinë e qelizave litium-jon

Hulumtuesit në Universitetin Deakin të Australisë thonë se kanë arritur të përdorin polimere të zakonshme industriale për të krijuar elektrolite të ngurta, duke ua hapur derën baterive të litiumit me densitet të dyfishtë, të cilat nuk do të shpërthejnë ose të ndizen kur të tejnxehen.

Dr. Fangfang Chen dhe Dr. Xiaoen Wang nga Deakin’s Institute for Frontier Materials pretendojnë se e kanë bërë një përparim me “shembullin e parë të qartë dhe të dobishëm të transportit pa lëng dhe efikas të litium-jonit në komunitetin shkencor”.

Teknologjia e re e përdor një material të ngurtë polimerik, të lidhur dobët me litiumjonin, për t’i zëvendësuar tretësit e lëngshëm të paqëndrueshëm të përdorur zakonisht si elektrolite në qelizat aktuale të baterisë. Elektroliti i lëngshëm është pjesa e sistemit që bëhet e ndezshme gjatë llojeve të zjarreve famëkëqija të baterive të cilat Samsungu do të donte t’i harronte, shkruan Koha Ditore. “Nëse industria i implementon gjetjet tona, e shoh një të ardhme ku pajisjet e varura nga bateritë do të mund të paketohen në mënyrë të sigurtë për shembull, në bagazhet e aeroplanit, ose ku automobilat elektrikë nuk paraqesin rrezik nga zjarri për banorët ose shërbimet e urgjencës siç paraqesin aktualisht”, tha dr. Chen në një njoftim për media.

Përveç bërjes së baterive më të sigurta, ekipi beson se ky elektrolit i ngurtë polimeri do t’u mundësojë më në fund baterive të punojnë me një anodë metalike litiumi. Ky do të ishte një lajm i madh në botën e baterive, ku anoda e litiumit është përshkruar kohët e fundit në Trends in Chemistry si “kritike në zhbllokimin e “fytit të ngushtë” të densitetit të energjisë të kimisë aktuale Li-jon” – “fyti i ngushtë” i cili po e pengon zhvillimin e automjeteve dhe avionëve elektrikë, si dhe elektronikës portative me ritmin që do të duhej të zhvillohen.

Dr. Wang thotë se kjo mund të jetë një mënyrë për ta dyfishuar densitetin e energjisë së baterive të litiumit, e cila, në mjediset komerciale, aktualisht po arrin deri në 250 Wh/kg (në pakon e baterive të Modelit 3 të Tesla). Arritja e kësaj lartësie deri në 500 Wh/kg do të lejonte distanca përshkuese të rritura masivisht, ose paketime më të vogla, më të lira dhe shumë më të lehta të baterive. Ky nuk është kërcimi 10X që të gjithë besojnë se po vjen, por do të ishte shumë domethënës.

Ekipi i Deakin thotë se ka përdorur vetëm polimere ekzistuese komerciale në procesin e ri, që do të thotë se prodhimi industrial do të duhej të vazhdonte me “pak vështirësi”. Në këtë fazë është testuar në një bateri në formë monedhe, rreth madhësisë së një baterie të orës, por ekipi tani po kalon në ndërtimin e llojit të qelizës që do të përdorej në telefona mobilë, dhe pasi të jetë gati dhe të funksionojë, ata do të kërkojnë partnerë komercialë për t'i nxjerrë këto qeliza me gjendje të ngurta në treg. Studimi i plotë është në dispozicion në revistën shkencore Joule.