Influenceri në Instagram është dënuar me 14 vjet burg për hartimin e një skeme përmes së cilës e kishte detyruar me forcë një të huaj të hiqte dorë nga emri i domainit që ai dëshironte ta zotëronte, njoftoi Departamenti amerikan i drejtësisë.
Influenceri Rossi Lorathio Adams II, i njohur edhe me nofkën Polo, e kishte pasur një seri llogarish në Instagram dhe platforma të tjera, i njohur si State Snaps, ndërsa e ndiqte fakultetin në Universitetin shtetëror të Iowas.
Llogaritë që Adams filloi t’i administrojë në vitin 2015, zakonisht përfshinin përmbajtje me sjellje të rrezikshme dhe eksplicite seksuale, shpesh me vajza nga fakulteti. Sipas “Washington Post”, një llogari që Adams e menaxhonte në Instagram i kishte 1.5 milionë ndjekës.
Megjithatë, Adams ishte i frustruar, sepse nuk e zotëronte domainin doitforstate.com, referencën për hashtagun e popullarizuar #DoItForState, të cilin influenceri shpesh e përdorte në rrjetet sociale. Ky domain ishte në pronësi të Ethan Deyo, me të cilin Adams nuk kishte asnjë lidhje të mëparshme.
Adams u përpoq ta blinte emrin e domainit për dy vjet, por në fund dështoi, sepse Deyo nuk donte ta shiste atë. Në një moment Deyo ofroi t'ia shiste emrin Adamsit për 20.000 dollarë, por Adams mendoi se kjo ishte një shumë e madhe, shkruan KOHA Ditore. Në vend që të hiqte dorë nga kërkimi i tij për ta zotëruar doitforstate.com, Adams filloi me frikësime. Ai ia dërgoi një emoji revoleje njërit prej miqve të Deyos, ndërsa më pas në një moment u shfaq para derës së tij.
Në fund, në verën e vitit 2017, Adams vendosi të bënte kërcënime më të dhunshme. Ai e angazhoi kushëririn e tij për të hyrë në mënyrë të paligjshme në shtëpinë e Deyo dhe e kërcënoi se do t’ia merrte emrin e domainit. Kjo hyrje me dhunë përshkallëzoi në qitje armësh në të cilën Deyo u qëllua në këmbë, ndërsa kushëriri i tij pësoi plagë të shumta në gjoks. Që të dy mbijetuan.
Kushëriri i Adams gjithashtu u dënua me burg pasi që e pranoi fajin. Adams u arrestua në prill të këtij viti, ndërsa këtë javë u dënua për vepra penale.