Huawei e ka ngritur një padi të re ligjore kundër Shteteve të Bashkuara për shkak të pretendimeve se gjiganti teknologjik kinez është një rrezik sigurie.
Padia vjen pasi që Komisioni federal amerikan për komunikime (FCC) ua ndaloi operatorëve të telekomit amerikan të blinin pajisje Huawei me paratë nga fondi shtetëror.
Gjatë përsëritjes së akuzave nga SHBA-ja se kinezët po e përdorin Huawei për spiunazh, dhe të gjitha për shkak të marrëdhënies së tyre me Qeverinë kineze, nga tekno-kompania pohojnë me vendosmëri se nuk ekzistojnë kërcënime të sigurisë, shkruan KOHA Ditore.
Huawei po kërkon nga gjykata amerikane e apelit që ta rrëzojë vendimin me të cilin u ndalohet operatorëve mobilë në pjesët rurale të Amerikës që t’i përdorin fondet qeveritare për ndihmë në blerjen e pajisjeve të infrastrukturës nga kompania kineze.
Duke folur në një konferencë shtypi në selinë e Huawei në Shenzhen, drejtori kryesor ligjor i kompanisë Song Liuping tha: "Qeveria amerikane kurrë nuk ka paraqitur prova të vërteta për të treguar se Huawei paraqet ndonjë kërcënim për sigurinë kombëtare. Kjo për shkak se ato prova nuk ekzistojnë".
Kjo është tashmë padia e dytë që Huawei po ndërmerr kundër politikave të administratës së kryetarit amerikan, Donald Trump.
Huawei në maj e inicioi një veprim të ngjashëm juridik duke e sfiduar vendimin për t’i ndaluar agjencitë shtetërore amerikane që t’i blejnë pajisjet e kësaj kompanie.
T’ju rikujtojmë se Huawei e ka një rol kryesor në prodhimin dhe shitjen e teknologjisë kyç për infrastrukturën e telekomunikacionit të gjeneratës së ardhshme 5G.