Tech

Robotët e vegjël montues punojnë së bashku për të ndërtuar struktura të mëdha

Nuk është e pazakontë që fabrikat të përdorin robotë për të prodhuar gjëra si automobila, secili përgjegjës për një pjesë të ndryshme të procesit të ndërtimit. 

Hulumtuesit nga MIT-i kanë krijuar robotë prototip montues, të cilët mund të ndërtojnë struktura të vogla më vete ose të punojnë së bashku për të krijuar struktura më të mëdha. Ideja, e cila qëndron prapa tezës së doktoraturës së Benjamin Jenett, është që në vend që të prodhohen komponentë në lokacione të ndara dhe të livrohen në një fabrikë të ndryshme prodhuese për montimin përfundimtar, e gjitha mund të ndërtohet në të njëjtin vend nga robotë të vegjël nga një grumbull me copa identike, shkruan sot Koha Ditore.

Këta të ashtuquajtur Robotë Montues (Assembler Robots) janë emërtuar BILL-E (Bipedal Isotropic Lattice Locomoting Explorer) dhe mund të gjejnë aplikime në ndërtimin e avionëve, urave dhe madje mund të ndërtojnë ndërtesa të tëra nga toka deri lart. 

Duke punuar me Amira Abdel- Rahman, Kenneth Cheung (i cili tani punon për projektin e NASA-s ARMADAS i cili fokusohet në krijimin e robotëve për ta ndërtuar një bazë hënore) dhe prof. Neil Gershenfeld nga Qendra e MIT-it për Bitët dhe Atomet, Jenett tani ka arritur në fazën e zhvillimit të prototipit. 

Robotët e marrin formën e një krahu me mentesha me kapëse në të dyja skajet për t'u ngjitur në blloqe ose njësi tredimensionale - të quajtura voxele – të cilat përdoren për ndërtimin e strukturave. 

Këto voxele shërbejnë si ekuivalente ndërtimi i pikselave në një foto, ku objekti ndërtohet voxel pas voxeli për ta krijuar një strukturë të plotë. Secilit robot mund t’i caktohet një pjesë e ndërtesës së përgjithshme, duke i marrë dhe vendosur voxelet dhe duke i lidhur ato së bashku. 

Dhe në vend të nevojës për t’i pajisur robotët me sensorë të avancuar të navigimit, secili bot BILL-E duhet vetëm ta dijë se ku është në raport me voxelin në të cilin po punon në çdo moment të caktuar. Derisa zhvendoset te voxelet e tjerë, informacioni i tij për pozicionin azhurnohet. 

"Kjo është ndryshe nga të gjithë robotët e tjerë", tha Jenett. "Vetëm duhet ta dijë se ku është hapi i tij i ardhshëm". Duke punuar si ekip, robotët e vegjël mund të ndërtonin me shpejtësi dhe efikasitet objekte të mëdha falë softuerit të kontrollit të zhvilluar nga Abdel-Rahman. Përveç ndërtimit të gjërave, aplikacione të tjera të mundshme përfshijnë riparimin ose heqjen/zëvendësimin e pjesëve të dëmtuara të një strukture duke e përdorur të njëjtin proces si ai i përdorur gjatë ndërtimit. Robotët madje mund të vendosen për të shtuar seksione të reja në ndërtesat ekzistuese, për t’i ndryshuar planet ose funksionin e tyre. 

Dhe projekti i ndërtimit nuk do të duhet të kufizohet vetëm në “terra firma” (nga lat.: terren i fortë). "Për një stacion hapësinor ose një habitat hënor, këta robotë do të jetonin në strukturë, duke e ruajtur dhe riparuar atë vazhdimisht", tha Jenett. 

Punimi është publikuar në IEEE Robotics and Automation Letters. Puna zhvillimore për projektin vazhdon.