Tech

Xiaomi lanson telefonin me gati krejt ekran dhe kamerë 108 MP

Gjiganti kinez i teknologjisë, Xiaomi, përmes një ngjarje sot ka lansuar smartfonin më të ri Mi Mix Alpha i cili vjen me një teknologji të re sa i përket ekranit. Ekrani, me dizjan “waterfall display” (“ekrani ujëvarë”), shtrihet deri në pjesën e pasme të tij.

Xiaomi Mi Mix Alpha vjen me trup të bërë nga një xham me nuancë të kaltër e detaje nga qeramika dhe titani, shkruan techcrunch.

 

 

Çfarë funksioni ka ekrani shtesë? Asgjë më shumë. Ekrani në pjesën e pasme të smartfonit ndriçon dhe merr detyrat e pjesës së përparme të ekranit kur e ktheni telefonin në anën tjetër.

Xiaomi thotë se Mix Alpha është një koncept dhe se do të ketë prodhim të kufizuar për këtë smartfon, transmeton Koha.net. Po ashtu, ky smartfon do të dalë në shitje në Kinë nga muaji dhjetor me çmim prej rreth 2,550 euro.

Sa i përket specifikave, Xiaomi Mi Mix Alpha vjen me sipërfaqe të ekranit prej 180.6 për qind, procesor Snapdragon 855+, 12 GB RAM memorie dhe 512 GB 3.0 memorie të brendshme, si dhe baterinë prej 4,050 mAh e cila ofron mbështetje për mbushje të shpejtë prej 40W. Po ashtu, Mi Mix Alpha vjen me mbështetje për rrjetin 5G si dhe punon me sistemin operativ Android Pie i bazuar në softuerin MIUI 11.

Gjithashtu, Mi Mix Alpha në pjesën e përparme nuk ka kamerë por në vend të kësaj, në anën e pasme ai ka tri kamera: 108 + 20 + 12 megapikselë.

Në ngjarjen e sotshme, Xiaomi po ashtu ka lansuar edhe smartfonin tjetër të avancuar - Mi 9 Pro, versionin më të fuqishëm të modelit Mi 9 të cilin e ka lansuar më herët këtë vit. Mi 9 Pro, me çmim prej 520 dollarë, ofron mbështetje për rrjetin 5G gjë që e bënë smartfonin më të lirë me rrjet të tillë. Po ashtu, kompania thotë se Mi 9 Pro ofron mbështetje edhe për mbushje me shpejtësi prej 40W të baterisë.