Tech

Minecraft tani i ka 112 milionë lojtarë çdo muaj

Zyrtari i Microsoftit tha kohët e fundit në një intervistë se Minecraft tani i ka 112 milionë lojtarë aktivë çdo muaj, një rritje kjo e madhe nga 20 milionë sa i shënoi loja në tetor të vitit 2018. Ky numër përfshin lojtarët në të gjitha platformat, por sigurisht që është një arritje e madhe për lojën e cila në forma të ndryshme është e pranishme për rreth 10 vjet, raporton Engadget.

Ky rezultat i atribuohet statusit "gjithmonë të freskët" të lojës, sepse bëhet fjalë për një titull tek i cili njerëzit gjithmonë kthehen. Janë edhe karakteristikat e tjera që i tërheqin njerëzit - mbështetja për më shumë platforma, mekanika e thjeshtë, mundësia për të luajtur në makina jo aq kërkuese, qoftë PC apo telefoni, shkruan KOHA Ditore.

Qëllimi i Microsoftit në këtë moment është ta mbajë lojën relevante. Minecraft Earth me realitet të zgjeruar ndihmon në këtë, ashtu si edhe ray-tracking dhe përpjekjet e tjera për ta përmirësuar pamjen e lojës.