Tech

Vjen veçoria e re te grupet në Facebook

Grupet në Facebook, hapësira ku njerëz me interesa të përbashkët mblidhen për të biseduar, kanë tri veçori të privatësisë, dhe kjo shpeshherë ka sjellë konfuzion te disa përdorues.

Tani rrjeti social po përpiqet ta bëjë më të lehtë për përdoruesit që të shohin se si funksionojnë grupet.

Aktualisht, grupet në Facebook quhen ‘publike’, ‘të mbyllura’ ose ‘sekrete’. Nëse një grup është ‘publik’, përdoruesit mund ta gjejnë atë, të shohin çfarë anëtarët po postojnë dhe të kërkojnë të bashkohen. Në ‘grupet e mbyllura’, vetëm anëtarët mund të shohin kush është në grup dhe çfarë përdoruesit thonë. ‘Grupet sekrete’ janë edhe më ekskluzive. Vetëm anëtarët mund të gjejnë grupin dhe për t’u pranuar aty duhet t’u dërgojë dikush ftesë.

Tani grupet në Facebook do të jenë vetëm nën dy emra: ‘publik’ dhe ‘privat’. Një grup që ishte i quajtur ‘sekret’ do të marrë emrin ‘privat dhe i fshehtë’, ku vetëm anëtarët mund ta gjejnë grupin. ‘Grupi i mbyllur’ do të marrë emrin ‘privat por i dukshëm’, duke nënkuptuar se të gjithë mund ta gjejnë grupin. Në grupet private, vetëm anëtarët mund të shohin kush është pjesë e grupit dhe çfarë po postohet.

“Po e bëjmë këtë ndryshim sepse kemi dëgjuar nga njerëzit që ata duan më shumë qartësi për veçoritë e privatësisë në grupet e tyre”, ka thënë Jordan Davis, menaxher produkti për Grupet në Facebook, në një blog të mërkurën, raporton “cnet”. “Duke pasur dy opsione të privatësisë – ‘publik’ ose ‘privat’ – do të ndihmohet të bëhet ky qartësim se kush mund të gjejë grupin dhe të shohë anëtarët dhe postimet që janë pjesë e tij”.

Fokusi i Facebookut në hapësirat private, përfshirë mesazhet dhe veçoritë si “Stories” ku njerëzit mund të postojnë fotografi dhe video që zhduken pas 24 orësh, ka rritur shqetësimet se do të jetë më vështirë për këtë rrjet social që të menaxhojë përmbajtjet që shkelin rregullat kundër keqinformimit e abuzime të tjera. Davis ka thënë se Facebooku ka më shumë se 30 mijë persona në ekipet për siguri dhe se ka punonjës që ndihmojnë veçanërisht në mbrojtjen e grupeve nga keqpërdorimet.

Vitin e shkuar, Facebooku bëri të ditur se 1.4 miliard përdorues në këtë rrjet social përdorin grupet çdo muaj.