Kompania analitike, Gartner Research, e ka publikuar raportin e vet për trendin e shitjeve globale të telefonave. Sipas kompanisë, livrimet globale do të bien me 2.5 për qind (nga 1.55 miliardë njësi të shitura sa ishin në vitin 2018 në 1.52 miliardë deri në fund të këtij viti), raporton GSMArena.
Sipas rajoneve, Japonia do ta ketë rënien më të madhe, ku shitjet vjetore do të kenë rënie prej 6.5%. Pason Evropa Perëndimore (-5.3%) dhe Amerika Veriore (-4.4%). Nga ana tjetër, rritje të shitjeve do të ketë Afrika sub-Sahariane, Euroazia si dhe Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.
Në tregjet e zhvilluara, segmenti i telefonave premium është veçanërisht i ngopur, me çmime mesatare më të larta, ndërsa konsumatorët nuk kanë motivim të madh për t’u azhurnuar në pajisje të reja, shkruan KOHA Ditore.
Analistët presin që kërkesa për telefonat e rinj do ta pësojë një rënie edhe më të madhe gjatë gjysmës së dytë të vitit. Përkundër arritjes së telefonave 5G, interesimi i konsumatorëve për këto pajisje do të jetë i papërfillshëm në shumicën e tregjeve gjatë vitit 2019.
Për të ardhmen, për vitin 2020 parashihet përmirësimi i tregut ku livrimi global i telefonave do të rritet me 2.83 për qind krahasuar me vitin 2019. Këtu do të kontribuojë posaçërisht disponueshmëria e rrjeteve dhe telefonave 5G të prodhuesve me renome.