Tech

MacBook Pro 13-inçësh bëhet me Touch Bar dhe CPU të ri

Pas azhurnimit të laptopëve të vet Premium MacBook Pro para pak ditësh, Apple tani ka freskuar edhe MacBook Pro të vet të volitshëm, si dhe modelin Air, përcjell The Verge.

MacBook Pro 13-inçësh bazik tani ka Touch bar dhe Touch ID. Po ashtu, CPU-ja e vjetër dybërthamëshe është larguar dhe në vend të këtij procesori vjen katërbërthamëshi Intel Core i5 (Coffee Lake) i gjeneratës së tetë.

Çmimi fillestar i këtij laptopi është 1300 dollarë (për modelin me SSD me 128GB) ndërsa ekziston edhe verioni me Core i7, me çmim 300 dollarë më të lartë, duke shtuar më shumë RAM dhe hapësirë për ruajtje, shkruan KOHA Ditore.

Image

MacBook Pro dhe Air bëhen me funksionin True Tone në ekranet Retina, funksion ky që e rregullon automatikisht temperaturën e ngjyrave të ekranit.

Përveç këtyre, Apple ka vendosur që të ndërpresë ofrimin e MacBook 12-inçësh, i cili nuk është freskuar tashmë dy vjet dhe zëvendësohet nga MacBook Air i freskuar.