Pasi që disa ditë më parë Adata njoftoi se ka vendosur rekord botëror në shpejtësinë e memories me 5634MHz, tani Micron mban rekordin e ri për memorien më të shpejtë DDR4. Overclockerët profesionalë i kanë “shtyrë” modulet Micron Ballistix DDR4 3600MT/s madje deri në 5726MHz, raporton TechSpot.
Stavros Savvopoulos dhe Phil Strecker nga Overclocking Gaming Systems, të cilët kitin memorik Micron e inkorporuan në sistemin e përshtatur me ftohje me nitrogjen të lëngshëm, thonë se janë të habitur nga fakti se sa i lehtë ishte overclockimi i moduleve memorike Ballistix, shkruan KOHA Ditore

.
"Jemi të mahnitur nga fakti se sa i lehtë ishte overclockimi i moduleve Ballistix Elite. Modulet e tjera, që i overclockuam, mund të jenë temperamentë dhe duhet të testohen dhe trajnohen fillimisht në temperatura më të ulëta se ato që kërkohen për stabilitetin. Megjithatë, këtë nuk e përjetuam me Micron E-die, i cili është skaluar dukshëm më mirë si me temperaturat ekstreme ashtu edhe me tensionin", tha Savvopoulos.
Deri më tani këtë vit rekordi për memorien më të shpejtë të overclockuar është thyer tri herë. Herën e parë ndodhi në janar, kur overclockeri Toppc i arriti 5608MHz me modulin Kingston HyperX Predator DDR4. Pas kësaj, më 13 maj, moduli Adata Spectrix D60G DDR4 arriti 5634,1MHz. Megjithatë, ky rekord zgjati vetëm disa ditë ndërsa tani ai u thye nga Micron.