Tech

Android Q mund ta ofrojë funksionin e "shtypjes së thellë" të ngjashëm me 3D Touch

Në vitin 2015, Apple e prezantoi iPhone 6s me opsionin 3D Touch, apo ekranin e ndjeshëm ndaj shtypjes i cili mund t’i detektojë deri në tre nivele të shtypjes. Kjo ua mundëson përdoruesve t’u qasen funksioneve specifike të aplikimit direkt nga ekrani kryesor (për shembull, është e mundur që me shtypje të ekzekutohet lista e shkurtoreve për aplikacione). Programerët mund ta përdorin gjithashtu funksionin në vetë aplikacionet, si një mënyrë për t’i lehtësuar funksionet e caktuara, raporton Neowin.

Edhe pse shumë vendime të dizajnit të Apple shpesh përdoren edhe në ekosistemin Android, kjo nuk ka ndodhur me 3D Touch, të paktën jo deri më tani. Megjithatë, sipas dokumentacionit të zbuluar nga 9to5Google, tani ekziston një klasifikim i ri për prekje në ekran, të cilin Google e quan "shtypje të thella".

Ashtu si 3D Touch, ideja që e ka Google është se pajisja mund të zbulojë se kur përdoruesi e shtyp më shumë ekranin. Në vend që të ofrojë funksionalitete krejtësisht të reja, përshkrimi në dokumentacion sugjeron se shtypjet e thella do t'i ndihmojnë përdoruesit të aktivizojnë më shumë veprime afatgjata, shkruan KOHA Ditore.

Google e ka publikuar versionin e ri beta të softuerit Android Q për testerë më herët këtë javë, por funksioni ende nuk është i pranishëm. Përveç kësaj, asnjë pajisje në treg nuk ka harduer që do ta mbështeste këtë karakteristikë në këtë moment.