Tech

Opera për Android vjen me VPN falas

Opera ka njoftuar se po fillon të ofrojë mbrojtje falas VPN për të gjithë përdoruesit e platformës Android. Versioni më i ri i aplikacionit të kompanisë Android do të ketë VPN të integruar, me çfarë do të zgjerohet funksionaliteti i shërbimit i cili fillimisht është mundësuar për përdoruesit e versionit beta në pajisjet mobile muajin e kaluar, ndërsa në aplikacionin desktop është në dispozicion për vite me radhë, raporton Engadget.

VPN do të jetë në dispozicion nga versioni "Opera for Android 51", i cili prej para pak ditësh ka filluar të arrijë tek përdoruesit përmes Google Play Store.

Shërbimi VPN ua mundëson shfrytëzuesve ta krijojnë një lidhje private virtuale me një server në largësi, i cili do të komunikojë me webfaqet që i viziton përdoruesi. Në vend të dërgimit dhe marrjes së informacioneve përmes rrjetit publik, ku potencialisht mund të qasen hakerët, të gjitha këto ndryshime dhe trafikun i kontrollon serveri nëpër të cilin kalon. Lidhja e enkriptuar midis telefonit dhe serverit VPN mundëson që të dhënat e përdoruesit të jenë të paqasshme për ata që i monitorojnë veprimet online të përdoruesit.

Opera e ka integruar VPN-në e cila përdor enkriptim 256-bitësh për mbrojtje të të dhënave. Gjithashtu, është maskuar vendndodhja e vërtetë e përdoruesit duke u lidhur me serverët e vendosur në mbarë botën, shkruan KOHA ditore.

Opera gjithashtu ka premtuar se nuk do t’i ruajë të dhënat për aktivitetin e përdoruesve, kështu që nuk do të ketë të dhëna që do të lejonin që të identifikohet një përdorues individual bazuar në aktivitetin e tij në internet.