Tech

Certifikohet varianti i telefonit Moto Z4 Play

Descriptive Text

Motorola Mobility, në pronësi të kompanisë Lenovo, do të mund ta lansojë së shpejti një telefon të ri Android nga segmenti i mesëm. Telefoni misterioz i Motorolas, me numrin e modelit XT1980-3, u paraqit në certifikimin FCC, raporton MySmartPhone.

Listingu i Motorola XT1980-3 FCC zbulon se kapaciteti i baterisë së pajisjes do të jetë 3600mAh dhe do të ketë mbështetje për mbushje të shpejtë prej 18W. Opsionet e ndërlidhjes përfshijnë mbështetjen për Wi-Fi 802.11 a/b/g/n/ac dual-band, Bluetooth Low Energy, GPS me A-GPS, GLONASS, NFC dhe FM radio. Listingu i zbulon edhe dimensionet fizike të pajisjes, të cilat janë 157mm x 75mm. Kjo do të thotë se telefoni, i cili besohet të jetë Moto Z4 Play, është pothuajse identik me modelin Moto G7 Plus kur bëhet fjalë për përmasat fizike, çfarë shihet edhe nga ekrani 6.2 inçësh.

Thashethemet sugjerojnë se Moto Z4 Play do ta ketë një ekran Super AMOLED prej 6.22 inçësh, me një notch në formën e shkronjës “u” dhe një sensor për gjurmë gishtash në ekran. Pajisja do të punojë falë çipsetit 11nm Qualcomm Snapdragon 675 ndërkohë që priten edhe 6GB RAM dhe 128GB hapësirë për ruajtje. Në anën e pasme të telefonit ekziston një kamerë kryesore prej 48MP, dhe edhe konektorët magnetikë për kyçjen e shtojcave Moto Mods. Android 9.0 Pie do të jetë në dispozicion që nga fillimi, shkruan KOHA Ditore.

Nëse XT1980-3 është me të vërtetë variant i modelit Moto Z4 Play, telefoni do të mund të lansohet në javët në vazhdim.