Tech

Sony sjell smartfonin e ri... të gjatë

Foto: The Verge

Sony gjatë konferencës në MWC 2019 (Kongresin Botëror për Celularë) në Barcelonë prezantoi telefonin e tij më të ri premium, të quajtur Xperia 1.

Xperia 1 vjen me një dizajn më të thjeshtë dhe formë të sheshtë e të gjatë, por në të njëjtën kohë siguron mbajtjen e mirë në dorë të panelit nga qelqi. Sensori për gishta është i vendosur në anën e djathtë të smartfonit, te butoni ‘Power’.

Sony Xperia 1 vjen me ekran 6.5-inç OLED me rezolucion prej 4K (3.840 x 1.644 pikselë, si dhe me raport prej 21:9, transmeton KosovaPress. Xperia 1, po ashtu, ofron një gradim 10-bit për një ekran më të pastër me ngjyra të ndryshme.

Kjo kompani japoneze, në bashkëpunim me Dolby Atmos, ka zhvilluar një tingull “shumëdimensional” që pretendon të rrisë përvojën e multimedias të përdoruesit në pajisjet mobile.

{gallery}

Në anën e pasme të Xperia 1 janë të vendosur tre kamera vertikalisht, ku secila prej tyre është prej 12 megapikselë.

Ata që duan të incizojnë videot kanë diçka për t’u gëzuar me veçorinë e re Cinema Pro. Ka lëvizje për kontrollin e ngjyrave dhe aftësinë e incizimit në 4K HDR në formatin 21:9. Incizimet mund të stabilizohen nga një kombinim optik dhe digjital.

Sa i përket harduerit, Xperia 1 përdor procesorin e teknologjisë së fundit të Qualcommit, Snapdragon 855, 6 GB RAM memorie dhe 64 ose 128 GB memorie të brendshme. Kapaciteti i baterisë së kësaj pajisje është prej 3.300 mAh. Në anën e softuerit, smartfoni i ri i Sonyt punon me sistemin operativ Android 9 Pie.

Gjithashtu, Sony Xperia 1 do të jetë në dispozicion me ngjyrën të zezë, të bardhë, gri dhe vjollcë, ndërkohë që ende nuk dihen detajet rreth çmimit të këtij smartfoni i cili do të dalë së shpejti në treg.