Tech

Pompeo paralajmëron Evropën për Huawein Kinez

Descriptive Text

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka paralajmëruar vendet evropiane të hënën se përdorimi i teknologjisë nga Huawei mund të dëmtojë marrëdhëniet e tyre me SHBA.

Duke folur në Hungari, ndalesa e parë e turneut 5-ditor evropian të tij, Pompeo tha se SHBA ka detyrimin të paralajmërojë qeveritë e tjera për rreziqet e ndërtimit të rrjeteve me pajisje nga gjigandi kinez i telekomunikacionit. Qeveria amerikane prej kohësh ka dyshuar se Pekini mund të përdorë pajisjet e Huawei-t për spiunazh, por nuk ka dhënë prova për të mbështetur këto shqetësime, transmeton tch.

Tani Uashingtoni po bën presion mbi vende të ndryshme të botës për ta mbajtuar Huawei-n jashtë gjeneratës së re të rrjeteve “wireless”, të njohur si 5G. Ka veçanërisht shqetësim për sigurinë e rrjetit 5G sepse ai do të përdoret për të mbajtur një sasi të madhe të dhënash që mund të lidhë robotë, mjete autonome dhe mekanizma të tjera sensitive.

Huawei, që është një nga prodhuesit kryesorë në botë të smartfonëve, në vijimësi ka mohuar akuzat se produktet e tij përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. Ai pretendon edhe se është një kompani private që nuk ka lidhje me qeverinë kineze.

Ndërsa Huawei është gjerësisht i bllokuar në tregun amerikan, kompania bën biznes të konsiderueshëm në Evropë, ku ka rreth 40% të tregut të pajisjeve të telekomunikacionit.