Informatat më të fundit që vijnë nga Korea e Jugut, zbulojnë se telefoni i ri i palosshëm (Galaxy F) i gjigantit të teknologjisë, Samsung, do të jetë smartfoni me edicion të kufizuar pasi kompania është duke planifikuar që të prodhojë vetëm një milion njësi.
Sipas raportit të publikuar nga “The Bell”, Samsung do të prodhojë 10 milionë njësi të smartfonit të ardhshëm Galaxy S10 kurse vetëm një milion njësi të Galaxy F (Fold). Duke filluar nga marsi i vitit të ardhshëm, kompania jug-koreane do të caktojë një strategji të marketingut për telefonin e palosshëm i cili do të lansohet po në të njëjtin muaj, transmeton Koha.net. Arsyeja pse është telefon me edicion të kufizuar është sepse ai do të dedikohet vetëm për konsumatorët që janë në të 40-tat.
Pas tri vjetëve të hulumtimit dhe zhvillimit, Samsung tani do të lansojë telefonin e tij të parë të palosshëm. Do të jetë një smartfon-tablet hibrid i cili do t’iu mundësojë përdoruesve ta përdorin atë sikur një telefon kur është i palosur.
Kjo kompani jug-koreane, para një muaji, ka filluar prodhimin masiv të Galaxy Fold.
Gjithashtu, Galaxy Fold pritet të ketë një çmim të lartë, i cili do të sillet rreth 1,350 dollarë për modelin bazë ndërsa rreth 2,500 dollarë (çmim ende i pa konfirmuar) për modelin më të fuqishëm.