Storie suksesi

Kristo Papa

Kristo Papa Royal Brompton Hospital London  cardio surgeon Albania KOHA kardiokirurg London UK diaspora KOHA.net storie suksesi success story

Është thelbësore, kur jemi larg të kthehemi herë pas here në vendin tonë të fëmijërisë: të gjejmë brenda nesh ato pjesë origjinale të vetes që në udhëtimin e gjatë të botës dhe të jetës kemi lënë mënjane dhe harruar për pak: me pak fjale të gjejmë veten

1. Në cilin vit keni mërguar?

Që prej vitit 1992, së bashku me familjen ëndërronim për një të ardhme më të mirë edhe ne, si të gjithë shqiptarët në ato vite.

2. Çfarë ju kujtohet më së shumti nga fillesat e jetës në botën perëndimore?

Fillimi ka qenë i vështirë më shumë për prindërit tanë do të thosha sesa për ne, ishim akoma fëmije dhe shumë gjera nuk i kuptonim, mbaj mend që gjithçka shihnim ose blinim na gëzonte pa mase sepse ishin gjëra të reja që s’i kishim parë kurrë më parë në Shqipëri.

3. Si ka rrjedhur integrimi juaj dhe në çfarë vështirësi keni hasur?

Ka qenë një rrugëtim aspak i lehtë. Duke filluar me ardhjen për herë të parë në Greqi, gjuha dhe njerëzit ishin ndër vështirësitë e para. Më dukej sikur nuk do të kisha shokë pasi njerëzit na shikonin me një sy ndryshe, por me kalimin e kohës dhe me mësimin e gjuhës arrita të krijoja miqësitë e para dhe fillova të përshtatesha. Me kalimin e viteve sfidat u bënë edhe më të mëdha, por më ka shoqëruar përherë besimi në vetvete duke menduar që një dite do ia dal edhe unë. Pa dyshim familja ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm e mbështetës në vendimet e mia.

4. Çfarë lidhjesh mbani me atdheun dhe ç’rëndësi ka ai në jetën tuaj?

Patjetër një rol mjaft të veçantë. Vendi nga i cili vij dhe kam kaluar një pjesë të fëmijërisë sime ndikon pa mase në ekzistencën time dhe me kujton në çdo moment se cili jam dhe është absolutisht pjesë e identitetit tim.

5. Sa herë në vit mesatarisht vizitoni Shqipërinë?

Për shkak të impenjimeve të shumta jam i detyruar ta vizitoj më pak sesa do të kisha dëshirë në fakt. Vij të paktën vit për vit gjatë kohës së pushimeve. Është thelbësore, kur jemi larg të kthehemi herë pas here në vendin tonë të fëmijërisë: të gjejmë brenda nesh ato pjesë origjinale të vetes që në udhëtimin e gjatë të botës dhe të jetës kemi lënë mënjane dhe harruar për pak: me pak fjale të gjejmë veten.

6. Sa ka ndryshuar Shqipëria sipas përshtypjes suaj?

Mendoj që kanë ndodhur ndryshime të mëdha në Shqipëri përgjatë viteve të fundit, në të gjitha aspektet, shoh që infrastruktura po ndryshon po ashtu. Dhe po i jepet rëndësi sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. Padyshim që shumë struktura lënë akoma për të dëshiruar por le të jemi pozitivë e të shpresojmë për më mirë.

7. Çfarë ju mungon më së shumti nga Shqipëria në mërgim?

Më mungon pjesa tjetër e familjes, e cila për momentin gjendet në Shqipëri, deti i mrekullueshëm, klima, ushqimi, gjuha të dëgjoj të flitet shqip, është një listë mjaft e gjatë por bëj të pamundurën të kthehem sa më shpesh që mundem edhe pse impenjimet e shumta të punës nuk ma lejojnë këtë gjë.

8. Mendoni të ktheheni një ditë për të jetuar në Shqipëri?

Jetesa ime për shkak të impenjimeve të punës është e ndarë mes shumë shteteve në të njëjtën kohë dhe jam i detyruar të udhëtoj dhe një bashkëpunim me Shqipërinë është në planet e mia, është vendi im dhe do dëshiroja të kontribuoja për të. Për momentin jam shumë i impenjuar në Londër për shkak të karrierës dhe familjes dhe nuk kam në plan të shkëputem për të jetuar në Shqipëri, por nuk do t’i thosha kurrë jo një mundësie për të ndihmuar vendin tim.

Image

9. Na e përshkruani më gjerësisht angazhimin tuaj profesional?

Unë jam kardiokirurg dhe ushtroj profesionin ne Spitalin Royal Brompton në Londër, në të cilin kam thelluar njohuritë e mia si kardiokirurg në operacionet mini invazive kardiake dhe po ashtu në kardiokirurgjinë pediatrike dhe kongjenitale të fëmijëve por edhe të rriturve. Royal Brompton është një qendër me një zhvillim teknologjie të vazhdueshëm dhe kjo më ka ndihmuar mjaft gjatë karrierës sime në këtë spital për të dhënë maksimumin tim dhe për të pasur sa më shumë operacione të suksesshme.

Image

10. Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të bëjnë institucionet e Shqipërisë për mërgatën?

Mendoj që duhet t’u jepet më shume përparësi si në aspektin e formimit të tyre qoftë edhe në aspektin ekonomik. Shumë të rinj shqiptarë nuk kthehen edhe pasi mbarojnë studimet pasi mundësitë që u ofrohen në Shqipëri lënë për të dëshiruar. Mendoj që institucionet shqiptare duhet të sensibilizohen dhe t’i ndihmojnë këta të rinj duke u ofruar kushte, mundësi studimi dhe formimi profesional dhe po ashtu në aspektin ekonomik duke ofruar mundësi punësimi.

Kristo Papa Royal Brompton Hospital London  cardio surgeon Albania KOHA kardiokirurg London UK diaspora KOHA.net storie suksesi success story