Mbaj lidhje shumë të afërta me Kosovën, në çdo aspekt. Atdheu dhe familja për mua, sikurse edhe për shumë bashkëvendës të mi, janë gjithëçka, arsyet primare të jetës time.
1. Në cilin vit keni mërguar?
Me përkeqësimin e situatës në Kosovë - në vitin 1989 iu vërsula rrugës së kurbetit, gjegjësisht Londrës, ku edhe jetova dhe punova deri në fund të vitit 2002.
2. Çfarë ju kujtohet më së shumti nga fillesat e jetës në botën perëndimore?
Vështirësitë e shumta për të filluar një jetë të re dhe pasiguria për të ardhmen. Gjithashtu ngarkesat psikike që i kishim, duke e pasur parasysh se situata në Kosovë dhe mbarë ish-Jugosllavi përkeqësohej vazhdimisht, ku familjet tona jetonin. Mirëpo në anën tjetër Londra (perëndimi) ofronte mundësi të shumta, dhe kjo ishte ajo që më motivonte, mbante me shpresë dhe ushqente me pozitivitet.

3. Si ka rrjedhur integrimi juaj dhe në çfarë vështirësi keni hasur?
Fillimisht si edhe shumica e shqiptarëve në migrim, pasi që kualifikimet tona nuk pranoheshin, dhe në pamundësi të vazhdimit të sudimeve shkaku i kostos jashtëzakonisht të lartë për shtetasit jugosllavë, kam punuar në restorante dhe bare te Londrës, çka edhe nuk ishte lehtë fare. Më pas, në vitin 1992 fillova t’i mbikëqyrja disa apartamente të cilat ishin në pronë të një familjeje të pasur angleze. Pas një viti, mora përsipër menaxhimin dhe lëshimin me qira të të gjitha apartamenteve që ishin në pronësi të kësaj familjeje dhe miqve të saj. Ishin gjithsej 150 apartamente nën menaxhimin tim në fillim, dhe ky numër u ngrit në mbi 1500, në fund të vitit 2002, kur edhe u largova nga Londra. Në vitin 1996 në Londër u njoha me një vajzë japoneze, me të cilën u martova dhe së bashku kemi një çun, i cili së shpejti do t’i mbushë 23 vjet. Për arsye familjare, në janar të vitit 2003, ndërmora sfidën e radhës dhe u vendosa në kryeqytetin japonez, vendlindjen e bashkëshortes sime, ku jetoj dhe punoj edhe tani.
4. Çfarë lidhjesh mbani me atdheun dhe ç’rëndësi ka ai në jetën tuaj?
Mbaj lidhje shumë të afërta me Kosovën, në çdo aspekt. Atdheu dhe familja për mua, sikurse edhe për shumë bashkëvendës të mi, janë gjithëçka, arsyet primare të jetës time. Pasi që tani janë krijuar mundësitë e mirëfillta ta prezentojmë kombin/vendin tonë, më mirë se kurdoherë më parë, kjo më nxitë që ta promovoj atë sa më shumë, sidomos këtu ne Japoni, ku jetoj më shumë se 18 vite dhe udhëheqi shoqatën e parë miqësore Japoni-Kosovë, që nga themelimi i saj më 8 mars 2008.

5. Sa herë në vit mesatarisht vizitoni vendlindjen?
Mesatarisht 2-3 herë në vit, ndoshta më shpesh se ata nga shtetet fqinje që i vizitojnë të afërmit e tyre në Kosovë mbrenda vitit, duke pasur parasysh 10,000 km e mia vs 100 km e tyre.
6. Sa ka ndryshuar vendlindja sipas përshtypjes suaj?
Ka ndryshuar mjaft në çdo aspekt, sidomos pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Ka përparim të dukshëm sa i përket zhvillimit të infrastrukturës, ndërtimeve si dhe standardit të jetesës në përgjithësi, mirëpo jo aq sa i përket ngritjes së nivelit të edukimit, menaxhimit të mirë, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër nepotizmit, mirembajtjes së ambientit, si dhe solidaritetit mes njerëzve. Fatkeqësisht kjo e fundit për mendimin tim ka degraduar.

7. Çfarë ju mungon më së shumti nga vendlindja në mërgim?
Kryesisht familja, motrat, mbesat, nipat, stërmbesat, stërnipat dhe shoqëria ime e madhe që kam atje. Më duhet ta ceki se unë jam një ndër shqiptarët e rrallë që jeton dhe punon kaq gjatë dhe kaq larg siç është Japonia, ku jeta është totalisht ndryshe në krahasim jo vetem me botën shqiptare, por me gjitha vendet tjera në këtë planet, prandaj sigurisht që afërsia dhe ngrohtësia e njerëzve të mi, më mungon mjaft shumë.

8. Mendoni të ktheheni një ditë për të jetuar në vendlindje?
Jeta ime ndahet kryesisht brenda trekëndëshit Tokio-Londër-Prishtinë, edhe ashtu do mbetet deri në fund. Vështirë se mund të kthehem për të jetuar dhe qëndruar kryesisht në vendlindje. Nuk jam person që mund të jetoj vetëm në një vend. Nuk është natyra ime. Unë me gjak jam shqiptar i Kosovës, me nënshtetësi britanik, ndërsa me rezidencë, qytetar jo vetëm i Japonisë, por i gjithë botës.
9. Na e përshkruani më gjerësisht angazhimin tuaj profesional?
Në shkurt të vitit 2003, një muaj pasi qe u vendosa ne Tokio, e themelova kompaninë time private, e cila mirej me shitjen e produkteve inovative japoneze, kryesisht ato për kujdes shëndetësor. Më pas, në shkurt të vitit 2004 mora një ofertë nga drejtori gjeneral i kompanisë private medicinale Japan Medical Co Ltd., si menaxher i departamentit të tyre ndërkombëtar, e cila merrej me produkte të ngjashme. Kjo ma mundësoi që ta mësoja thellësisht mënyrën e punës në një kompani private puro Japoneze. Isha i vetmi i huaj nga 60 punëtorët e saj. Ndërsa më 1 shtator të vitit 2010, departamentin në fjalë e shndërruam në kompani të pavarur me emrin Intermedico Japan Co., Ltd., të cilën e udhëheqi edhe sot.
Kjo kompani është e specializuar kryesisht në prodhimin dhe shitjen e produkteve medicinale, për kujdes shëndetësor dhe atyre kozmetike. Qëllimi ynë kryesor eshte që të zbulojmë, prezantojmë dhe shesim me sukses në tregun ndërkombëtar, produktet e reja dhe unike japoneze të cilat e mbrojnë dhe rrisin cilësinë e jetës. Thjeshtë, merremi me punën më të vështirë; ndërrimin e kulturës, nga marrja e medikamenteve në mënyre orale, në atë transdermale. Jemi prezent me produktet tona në më shumë se 40 vende të botës, si me brendet tonë, ashtu edhe me brende privat të cilat ne i prodhojmë për kompani të mëdha ndërkombëtare nga fusha medicinale dhe kozmetike.
Dua ta ceki se vitin e kaluar, pak para se të fillojë pandemia, kemi krijuar kompaninë simotër edhe në Prishtinë, Kosovë, me emrin Intermedico Japan Europe LLC, e cila do kujdeset për distribuimin dhe shitjen e produkteve tona jo vetëm në tregjet shqiptare, por edhe mbarë Evropën.
10. Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të bëjnë institucionet për mërgatën?
Mendoj se mërgata (sidomos kuadrot/individët që kane arritur sukses nëpër vende të ndryshme të botës, që janë të shumtë), duhet të përfshihet(n) thellësisht në qeverisjen e cilitdo shtet nga trojet shqiptare. Mërgata ka qenë, është dhe do mbetet forca kryesore lëvizëse, me një fjalë “oksigjeni i shqiptarisë”. Sa më shumë oksigjen në qeverisjen dhe vendimmarrjet e shteteve tona, aq më shumë prosperitet do ketë për to. Fatkeqësisht për mërgaten është menduar vetëm në ditë të vështira, por fatkeqësisht ka qenë shumë pak e përfshirë në udhëheqjet dhe vendimmarrjet për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për shtetet tona. Uroj që kjo të ndryshojë, se me të vërtetë pa oksigjen, jetë (ardhmëri) s’ka. Kjo sigurisht nuk është në interes të asnjë shqiptari, si brenda apo jashtë trojeve të tyre.
Gjithashtu uroj që qeveritë shqiptare t’ia mundësojnë mërgatës, kudo që ndodhet ajo, duke përfshirë këtu edhe Japoninë, që në të ardhmen të votohet nëpër ambasadat tona, siç e bëjnë edhe shumica e shteteve demokratike të botës.
