Storie suksesi

Habib Jakupi

Descriptive Text

Një mergimtar nga Kosova e jeton jetën e vet në perëndim me idenë e kthimit në vendlindje! Është një ide e veçantë, magjike do të thosha!

1. Në cilin vit keni mërguar?

Kam mërguar për në Gjermani në vitin 1992 pasi që më informuan se nuk ka specializim për mua derisa ekziston ky regjim; jam kthyer në Kosovë në vitin 2003 dhe kam mërguar përsëri (në Zvicër ) në vitin 2013 (pasi që Gjykata Kushtuetuese i rrëzoi nenet reformatore në ligjin e ri të Shëndetësisë të aprovuar në vitin 2012 dhe me këtë veprim e bëri të ligjshme status quo-në d.m.th. stagnimin për 10-15 vitet e ardhshme. Një grup i mjekëve ku bëja pjesë edhe unë ishim angazhuar afër 10 vjet që të ndahej qartë puna e mjekut: ose në sektorin publik ose në sektorin privat! Dhe kjo dështoi në kushtetuese!

2. Çfarë ju kujtohet më së shumti nga fillesat e jetës në botën perëndimore?

Ajo që më ka mbetur më së shumti në kujtesë është dallimi i madh në mes të Kosovës së atëhershme dhe Gjermanisë: dallimi në dimensionin e LIRISË, ndjenjës së të qenurit i LIRË, dallimi në mes të Kosovës që ishte e pushtuar, e shtypur dhe e terrorizuar në krahasim me Gjermaninë, një vend i lirë, sovran, demokratik, i hapur ndaj botës dhe njerëzimit. Dallimi i njeriut që vjen nga një Kosovë e robëruar, me apartheid e segregacion, në një vend të lirë - Gjermaninë ku njeriu merr frymë lirisht, shikon horizontin në pafundësi, e ndjen vlerën e vet si profesionist dhe e ndjenë vlerën e dinjitetit të vet si njeri! D.m.th. në vetvete e ndjeja përthyerjen e dy botëve të ndryshme, diametralisht të kundërta!

3. Si ka rrjedhur integrimi juaj dhe në çfarë vështirësi keni hasur?

Gjuhën gjermane e kam mësuar si student në Prishtinë, me idenë që një pjesë të specializimit tim ta kryej në një vend ku flitet gjermanisht ose anglisht (pasi anglishten e njihja më herët). Njohja e gjuhës gjermane, njohja ime e mëhershme me kulturën dhe letërsinë gjermane si dhe kontaktet e mëhershme (vizitat në vitin 1989), krijuan rrethana që unë prej fillimit jam ndjerë shume mirë në Gjermani. Madje fakti që unë fatmirësisht, pas 4 ditësh që shkova atje, e vesha mantelin e mjekut në një Institut të njohur në Bielefeld (Gjermani), më krijoi idenë që Gjermania është vendi im i zgjedhur i punës dhe jetës. Kjo ndjenë e mirë më ka përcjellë gjatë gjithë kohës së qëndrimt atje, madje edhe më vonë, derii në ditët e sotme. Kjo ndoshta ka të bëjë edhe me faktin se që nga dita e parë në Gjermani më ka përcjellë suksesi në punë dhe në jetë. Përvojat e mia personale ishin vetëm të mira dhe pozitive.

4. Çfarë lidhjesh mbani me atdheun dhe ç’rëndësi ka ai në jetën tuaj?

Fakti qe fillova punën shumë shpejtë pas shkuarjes sime në Gjermani dhe sistemi shume demokratik dhe i rregulluar e funksional i sistemit shëndetësor, më mundësuan që unë bashke me fillimin e punës, të filloj edhe specializimin në Radiologji. Kjo më hapi dyert e mundësive për të mësuar (specializuar), për të përvetësuar metoda e shkathtësi shkencore mjekësore në një lëmi e cila po përjetonte zhvillimin më të madh në histori të saj - në Radiologji e cila po zhvillonte vetveten dhe po e ndryshonte gjithë diagnostikën imazherike e mjekësore në përgjithësi. Gjate këtyre pese (5) viteve të specializimit kam qenë plotësisht i përkushtuar në këtë drejtim duke ia kushtuar gjithë kohën, mundësitë dhe kapacitetet e mia. Pas përfundimit të specializimit dhe kthimit në Insititutin DIRANUK në Bielefeld, tashmë si specialist dhe si njëri prej partnerëve të Institutit, gjendja në Kosovë u përkeqësua edhe më shumë. Në në Gjermani themeluam Shoqatën e mjekëve shqiptarë. Por edhe jashtë jetës profesionale, në përgjithësi u bënë shumë organizime të njerëzve tanë, nëpër shoqata, klube etj., për të ndihmuar në përmirësimin e gjendjes në Kosove. Nga kjo kohë më kanë mbetur në kujtesë edhe shumë takime me qytetarë gjermanë, për njohje dhe prezentim të gjendjes në Kosovë. Kosova ishte temë qendrore në mediat por edhe në jetën shoqërore në Gjermani, në vitet 1998 dhe 1999. Gjatë gjithë kësaj kohe kontakte e mia me Kosovën ishin kryesisht përmes bashkatdhetarëve ne Gjermani, Zvicër etj., pastaj vizitave të familjareve të mi në Gjermani apo vizitave te shoqes sime dhe fëmijëve në Kosovë. Në vitin 1999 erdhi pastaj viti i mrekullisë, i çlirimit të Kosovës, dhe i hapjes se Kosovës ndaj botës. Njëkohsisht edhe i vizitave të papenguara në Kosovë.

5. Sa herë në vit mesatarisht vizitoni Kosovën?

Kosovën e vizitoj shumë herë në vit. P.sh. në vitin 2001/2002 kur kemi filluar me Rezonancë magnetike në ordinancën tonë në Kosovë, unë kam udhëtuar gati çdo vikend për në Prishtinë, me idenë që kolegët në Kosovë të shihnin në praktikë punën e një radiologu me Rezonanacë magnetike (që ishte risi për Kosovë), e po ashtu edhe pacientët të shihnin në vepër se për ketë metodë të re, nuk kanë nevojë të shkojnë jashtë Kosove, pasi që tani ne e ofronim në Prishtinë. Kjo lidhshmëri me Kosovën, me punën e suksesshme në ordinancën tonë te themeluar në vitin 2000, më solli deri tek vendimi që ta përfundoja punën në Institut në Bielefeld (që vetëm para pak vitesh ishte ëndrra ime më e madhe) dhe të kthehesha plotësisht ne Kosovë në vitin 2003.

6. Sa ka ndryshuar Kosova sipas përshtypjes suaj?

Kosova në kohën që po e përmendim ka ndryshuar shumë! Janë ndryshime historike! Prej një vendi të okupuar arriti të jetësojë lirinë e vet. Tani Kosova është vend i lirë! Nga viti 2008 vend i pavarur. Tash me shumë punë e angazhim mund të arrijmë që të bëhet edhe vend demokratik, ku sundon ligji e ku njeriu e ka vlerën e vet të patjetërsuar!

7. Çfarë ju mungon më së shumti nga Kosova në mërgim?

Janë shumë gjëra që më mungojnë nga Kosova: janë njerëzit e Kosoves, shoqëria ime e mëhershme, shoqëria e vërtetë. Po ashtu prej vitit 2013 më mungojnë fëmijët e mi, mbesat e mia të dashura, nipi, familja e gjerë, farefisi dhe gjithë ai ambient i veçantë që din të krijohet në një mënyrë të veçantë, p.sh. në shëtitoren Nena Tereze, në Gërmi apo kudoqoftë në Kosovë.

8. Mendoni të ktheheni një ditë për të jetuar në Kosovë?

Një mergimtar nga Kosova e jeton jetën e vet në perëndim me idenë e kthimit në vendlindje! Është një ide e veçantë, magjike do të thosha! Një ide që është e përhershme, si valët e detit, herë më të qeta e herë dallgë-dallgë! Është kjo fuqi dalldisëse e këtyre valëve që njeriun tonë në mërgim e sjellë në Kosovë! Unë vijë shumë herë gjatë vitit në Kosovë. Atje festojmë ditëlindjen time e të zonjës time, ditëlindjet e fëmijëve, të mbesave e nipit. Vij me dëshirë e dashuri, dhe kur kthehem në perëndim, që është vendi im i punës dhe jetës, mbaj kontakte të përditshme me familjen. Por kontaktet e përditshme me Kosovë janë edhe për shkak të pacientëve të mi. Çdo ditë ekzaminohen pacientë në Kliniken Euromed me Rezonance magnetike dhe unë e bëj nga distanca diagnostikimin e tyre. Sikur të isha atje, i mbyllur në dhomën time të punës në Euromed. Teleradiologjia dhe zhvillimi teknik në kohën tonë e bëjnë të mundur. Madje e njëjta ndodhë edhe kur unë jam në pushim, kudo në botë, unë duhet të jem i lidhur me internet që të pranoj imazhet e pacienteve te ekzaminuar në Euromed, dhe t’ua dërgoj raportet me diagnozën specialistike. Kjo është lidhshmëria e veçantë me Kosovën.

9. Na e përshkruani më gjerësisht angazhimin tuaj profesional?

Jam i angazhuar me punë në spital në pozitën e mjekut udhëheqës (Leitender Arzt) ne repartin e Radiologjisë. Duke qenë së bashku me një ekip prej 9 radiologësh në një spital të madh, kam të bëj me gjithë spektrin e patologjisë, duke pasur parasysh se këtu ofrohen të gjitha metodat diagnostike imazherike. Në të njëjtën kohë, puna jonë e përditshme në Radiologji gërshetohet përmes konziliumeve mjekësore me të gjitha repartet tjera të spitalit në baza të përditshme.

Në vitin 2019 e kam marrë edhe licencën për punë private duke shënuar momentin e mirë si radiologu i parë shqiptar me licencë private në Zvicër dhe hapjen e ordinancës time në Zürich. Një ditë e punës këtu për mua është e mbushur me angazhim të drejtpërdrejtë në punë me pacientët ose indirekt (si konsulent për kolegët më të rinj).

10. Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për mërgatën?

Institucionet e Kosovës ndihmojnë mërgatën duke punuar si duhet për shtetin dhe qytetarët e Kosovës: duke e zhvilluar dhe avancuar shtetin dhe shoqërinë në Kosovë, ata do të bëjnë shërbimin më të mirë për të gjithë, edhe për mërgatën! Do te ishte një ndjenjë shumë e mirë për çdo mërgimtar kur do të mund te deklaronte se: ai vjen nga një vend i lirë, ku sundon ligji e rregulli, vend demokratik, i zhvilluar ekonomikisht, i drejtë për të gjithë qytetarët dhe një vend i punës e me perspektivë për të ardhmen e qytetarëve të vet! Kosova është letërnjoftimi ynë në botë (pa marrë parasysh se ku jetojmë dhe veprojmë apo edhe se çfarë pasaporte mund të kemi)! Prandaj institucionet e Kosovës duhet të punojnë që ky letërnjoftim të bëhet një emër i nderuar në shoqërinë e kombeve! E ne të gjithë, kudo që jemi do të jemi në shërbim të këtyre institucioneve! NË SHËRBIM TË ATDHEUT DHE TË PRESIDENTES SË KOSOVËS!!!