Të premten fillon Kampionati Mesdhetar i karatesë për kadetë, juniorë dhe seniorë. Por, pa karateistët më të mirë të Kosovës. Kosovës i është pamundësuar paraqitja në Kampionatin Mesdhetar që do të mbahet në Tunis të Tunizisë. Kampionati Mesdhetar nis të premten, ndërsa përfundon të dielën. Në Federatën e Karatesë së Kosovës (FKK) të mërkurën kanë njoftuar klubet se kanë kryer me kohë të gjitha procedurat. Por, në letrën e siguruar nga KOHA të enjten, Federata njofton klubet se paraqitja e karateistëve kosovarë nuk do të jetë e mundur. Federata thotë se Tunizia nuk e njeh Kosovën dhe se kjo është arsyeja e mbetjes jashtë Kampionatit Mesdhetar.
“Federata e Karatesë e Kosovës ju njofton se prej fillimit të muajit prill 2023 kemi punuar intensivisht për përgatitjen e pjesëmarrjes sonë në Kampionatin Mesdhetar të Karatesë për kadetë, juniorë dhe seniorë, i cili do të zhvillohet në qytetin Tunis të Tunizisë nga data 18-21 maj 2023”, shkruan në fillim të njoftimit.
Tutje sqarohet për klubet se Federata e Karatesë e Kosovës prej muajit prill ka nisur punën intensive për ta pajisur ekipin e Kosovës me viza. Kishte paraparë të udhëtonte me 27 garues, por që nuk janë pajisur me vizë hyrëse për Tunizi. Për t’u pajisur, Federata ka kërkuar mbështetje edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës që, sipas njoftimit, KOK-u ka dërguar një kërkesë zyrtare te Komiteti Olimpik i Tunizisë për ndihmë në çështjen e vizave, por që nuk ka marrë përgjigje pozitive.
“Gjatë komunikimit tonë me zyrtarët e Federatës së Karatesë së Tunizisë na është bërë e ditur se, për shkak se Tunizia nuk e njeh Pavarësinë e Republikës së Kosovës, nevojitet një kod i veçantë që lëshohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Tunizisë për të marrë letërkonfirmime (viza) për hyrjen në Tunizi. Edhe pse kërkesa jonë është dërguar tek autoritetet tuniziane, ne fatkeqësisht nuk jemi pajisur me vizat. Si pasojë e këtyre ngjarjeve udhëtimi i përfaqësueses së Kosovës për të marrë pjesë në Kampionatin Mesdhetar të Karatesë është i pamundur. Jemi shumë të shqetësuar me këtë situate dhe urojmë që ngjarje të tilla të diskriminimit të mos ndodhin në të ardhmen”, shkruan në njoftimin e FKK-së.
Nuk është hera e parë që brenda këtij viti karateistët e Kosovës mbesin jashtë ngjarjeve të mëdha. Më herët, këtë vit, karateistët mbetën jashtë Evropianit për të rinj në Qipro dhe Evropianin e Spanjës. Në fakt, ata kanë udhëtuar në Qipro e në Spanjë, por nuk kanë garuar pasi trajtimin nuk e kishin të barabartë. Ka pasur raportime se raportet mes drejtuesve të karatesë kosovare me drejtuesit e karatesë botërore nuk janë më të mirat. Pos karateistëve, jashtë ngjarjeve ndërkombëtare kanë mbetur edhe boksierët. Boksierët kosovarë në fund të muajit të kaluar nuk u lejuan të merrnin pjesë në Kampionatin Botëror që u mbajt në Tashkent të Uzbekistanit. Boksierët kosovarë nuk u lejuan të merrnin pjesë as në Botërorin e kaluar, të mbajtur në Beograd, në vitin 2021.
Më herët, këtë vit, jashtë Botërorit të boksiereve mbeti Donjeta Sadiku. India në momentin e fundit u pajtua të lëshonte vizë për Donjetën, por kushtëzoi paraqitjen e saj me heqje dorë nga simbolet e shtetit të Kosovës. Kjo nuk u pranua. Donjetës i janë mohuar tre Botërorë në Indi. Boksierëve u janë mohuar dy Botërorët e fundit, ndërsa kanë mbetur edhe jashtë Botërorit U18 të mbajtur në Spanjë. Por, problemi duket se qëndron te Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBA). Ajo drejtohet prej një rusi dhe aktualisht është e suspenduar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
IBA-ja nuk po ka qëndrim shumë miqësor ndaj Kosovës. Vjet në Tashkent është mbajtur Botërori i xhudos. Xhudistët e Kosovës nuk kanë pasur telashe për të udhëtuar e po ashtu që të paraqiten me të gjitha simbolet. Por IJF-ja është organizatë dukshëm më serioze se IBA-ja. Po ashtu rejtingu i Kosovës në xhudo është dukshëm më i lartë se në karate dhe boks.