Sport

Të paprekshmit e stolit

“Ne asnjëherë nuk e kemi të sigurt punën, gjithmonë jemi me valixhe në duar”.

Kjo është njëra prej thënieve që trajnerët e të gjitha sporteve e përdorin për të treguar se sa i paparashikueshëm është profesioni i tyre dhe se si situata mund të ndërrojë për ta nga dita në ditë.

Kjo thënie vlen edhe për trajnerët në Kosovë. Por, me disa përjashtime.

disa trajnerë që janë dukshëm më shumë se trajnerë. Janë kryesorët në klubet e tyre. Ndonëse trajneri vlerësohet punëtor në shërbim të klubit, disa trajnerë në Kosovë janë vetë klubi. Pra, janë të paprekshëm.

Dhe thënien e famshme nuk e kanë as në fjalor e as në mendje.

Disa prej tyre janë themelues të klubeve e disa i mbajnë në aspektin financiar klubet ku “punojnë”.

Ata natyrisht nuk e kanë presionin e rezultateve si kolegët e tyre, nuk i druhen shkarkimit. E ushtrojnë të qetë profesionin.

Disa prej tyre, megjithatë, shquhen për rezultatet që i kanë me klubet ku janë më shumë se trajnerë.

Tahir Batatina vlerësohet prej tyre.

Ai është trajner i Llapit tashmë tetë vjet, saktësisht prej kohës kur familja Batatina u bë donatore dhe investon në klubin me traditë të gjatë. Llapi me Batatinën në krye u kthye në Superligën e Kosovës në futboll pas një periudhe të gjatë. Në elitë sukseset nuk kanë munguar.

Edhe pse nuk e ka presionin e shkarkimit pasi vëllezërit i ka në kryesi, Tahir Batatina thotë se nuk e ka aspak punën e lehtë te Llapi.

“Nuk është e lehtë pasi jam vetë trajner, donator dhe vetë i kryej të gjitha punët. Edhe pse nuk është lehtë, mund të them se vullneti, dëshira dhe pasioni për futbollin janë bashkuar në një profesion të vetëm dhe mendoj se ky është çelësi i suksesit, por edhe jetëgjatësisë në klub”, është shprehur Batatina.

Ai ka pranuar se e ka punën shumë më të lehtë sesa trajnerët tjerë në futbollin e Kosovës për shkak se asnjëherë nuk e mendon shkarkimin. Në fakt, Batatina në dy periudha nuk ishte trajner i Llapit, por atë nuk e shkarkoi apo largoi askush. Ishte dëshira e tij që të zhvendoset përkohësisht në rolin e drejtorit sportiv duke ia besuar postin e trajnerit njëherë Xhengiz Rexhepit dhe pastaj Bylbyl Sokolit.

Periudhat e tyre te Llapi ishin të shkurtra duke e “detyruar” Batatinën që të kthehet në pozitën e tij dhe ta udhëheqë ekipin. Llapi ka dekada traditë, por Batatina jep paratë dhe aktualisht e ka kontrollin e plotë në klubin nga Podujeva.

“Po, është e vërtetë që e kam shumë më lehtë se trajnerët e tjerë pasi nuk e kam presionin e shkarkimit. Falë kësaj e kam inkuadruar Llapin në Superligë dhe vazhdimisht kemi qëndruar në pjesën e epërme të tabelës që është një sukses që e lidh ekipin me mua si trajner”, shprehet Batatina, i cili krenohet edhe me trofetë e parë që i ka sjellë në klub.

Edicionin e shkuar Llapi për herë të parë e fitoi Kupën e Kosovës dhe siguroi daljen në garat evropiane. Pas Kupës së Kosovës pasoi Superkupa, që fitohet me një ndeshje, shpesh gati revyale. Llapi fitoi edhe “Kupën e Diasporës”, që nuk ka ndonjë vlerë sportive.

“Për herë të parë i kam sjellë qytetit tre trofe të cilët i kanë munguar skuadrës së Llapit dhe për këtë jam krenar. Këtë e kam arritur vetëm me punë të madhe dhe për faktin që asnjëherë nuk jam dorëzuar por kam besuar”, u shpreh Batatina, që tani po synon një sukses tjetër. “Tani synimi është vetëm titulli i kampionit dhe asgjë tjetër. Ky do të ishte suksesi më i madh në histori të klubit, i cili do të lidhej me mua si trajner dhe familjen time”.

Kur trajneri themelon klub

Sigurinë që nuk do të shkarkohet nga klubi e ka edhe një trajner tjetër, në një sport tjetër. Bëhet fjalë për Arbnor Rifatin, që është në krye të skuadrës elitare të basketbollit në Kosovë, Prizreni-16.

Rifati është edhe themelues i këtij klubi. Klubi që njihej si Ponte Prizreni u formua në vitin 2016. Prej asaj kohe Rifati është trajner duke e ngritur klubin brenda një periudhe të shkurtër prej ligës së dytës në elitë.

Rifati klubin e themeloi me emrin Kalaja për të vazhduar me emrin Prizreni, Ponte Prizreni dhe tani Prizreni-16. Kur pyetet se a e mendon shkarkimin, Rifati si në shaka thotë se “e ka klubin me tapi”. Megjithatë, ai shton se në rast të mossuksesit e ka obligim moral që vetvetiu të largohet nga posti i trajnerit. Ish-arbitri i basketbollit thotë se puna po i shkon mirë. Prizreni në fillim të këtij edicioni arriti ta fitojë Superkupën e Kosovës. Së fundit, Arbnor Rifati është zgjedhur ndihmës i përzgjedhësit të Kosovës, grekut Christos Marmarinos.

“Në fakt, ndihem mirë që nuk e kam presionin e shkarkimit, por në anën tjetër nëse ekipi nuk ka sukses dhe rezultate atëherë e kam obligim moral që të largohem nga pozita e trajnerit. Deri më tani punët po shkojnë mirë. Kemi rezultate si klub dhe me krenari mund të them se prej se e kam themeluar klubin në vitin 2016, prej kur jam edhe trajner, tetë trajnerë të huaj apo vendorë i kam dërguar në shtëpi. Po ashtu, e kam fituar Superkupën dhe ekipi prej se është pjesë e Superligës gjithmonë synon trofe”, është shprehur Rifati.

Ai thotë se si themelues ndihet paksa më i privilegjuar dhe mund të mos e ketë stresin e trajnerëve të tjerë. Rifati thotë se në klub ekziston hierarkia, e cila respektohet.

“Edhe pse jam themelues i klubit, ne e kemi hierarkinë që duhet respektuar sikurse në çdo klub tjetër. I kemi të gjitha strukturat dhe unë kam përgjegjësi para tyre si trajner. E kam një privilegj si pronar, por nuk mund të them se e kam edhe komoditetin. Po, është e vërtetë që në aspektin psikologjik jam më i sigurt dhe më i qetë sesa të tjerët sa i përket shkarkimit apo largimit nga pozita e trajnerit. Por e theksoj se rezultatet dhe puna janë ato që më bëjnë të palëkundur”.

Ta bësh qytezën qendër të një sporti

Një periudhë më të gjatë se Batatina e Rifati në postin e trajnerit e ka Faruk Shala. Ai ka qenë dhe mbetet i palëkundur në pozitën që mban.

Shala është trajner i skuadrës së Istogut, që bën gara në elitën e hendbollit kosovar në konkurrencën e femrave. Në fakt, Shala nuk është vetëm trajner tek Istogu, është njeriu kryesor i klubit. Është personi me të cilin komunikojnë donatorët dhe të gjithë të tjerët që janë të përfshirë në klub apo rreth klubit. Shala e mban edhe postin e koordinatorit të akademisë së hendbollit të Istogut. Ai është njëri prej themeluesve të Istogut, që u formua në vitin 2004 dhe prej ditës së parë ka mbajtur postin e trajnerit. Shala e ka ngritur Istogun nga rangu më i ulët i garave për ta shndërruar në forcë të hendbollit kosovar te femrat. Istogu tashmë llogaritet qendër e rëndësishme e hendbollit, ndonëse pa traditë në këtë sport.

Prej vitit 2010 Istogu është pjesë e Superligës dhe vazhdimisht lufton për trofe. Fiton shpesh trofe, po ashtu. Me Shalën, Istogu ka katër Kupa të Kosovës dhe një titull kampioni, ndërsa në gjashtë vjetët e fundit rregullisht është paraqitur në garat evropiane.

“Unë jam njëri nga themeluesit e klubit në vitin 2004 dhe prej atëherë jam trajner i ekipit të parë të Istogut, klubit që e kam ngritur nga rangu i ulët në Superligë dhe ku sukseset nuk kanë munguar. Po ashtu, kam qenë edhe trajner i gjeneratave të reja njëkohësisht, por tani që klubi është rritur dhe ka themeluar edhe akademinë jam në rolin e koordinatorit”, thotë Shala. “Jam trajner prej ditës së parë dhe mund të them se jam njeriu kryesor në klub me të cilin komunikojnë të gjithë, përfshirë edhe sponsorët”.

Shala thotë se në të shkuarën kishte menduar largimin, por që nuk ishte lejuar. Tani ai thotë se nuk e ka këtë presion dhe presioni i vetëm është që të arrijë sa më shumë suksese me Istogun dhe ta ngrejë nivelin e ekipit nga edicioni në edicion. Ai thekson se nuk e ka komoditetin e tepruar për shkak se ndien përgjegjësi në rast të mossuksesit. Faruk Shala është edhe ndihmës në përfaqësuese.

“Kam përkrahjen e madhe prej të gjithëve dhe jam njeriu kryesor në klub. Edhe pse ndoshta nuk jam i preokupuar me shkarkim apo diçka të tillë, nuk mund të them se kam komoditetin për shkak se duhet dhënë përgjegjësi para të tjerëve. E ndiej obligim ta mbaj klubin në nivel të lartë dhe gjithmonë të luftojmë për suksese dhe trofe”, ka thënë Shala. “Asnjëherë nuk e mendoj shkarkimin. Ka pasur raste kur kam dashur të largohem, por nuk më kanë lejuar. Presioni i vetëm që e kam është që të fitoj trofe, të kemi rezultate të mira në arenën evropiane dhe të nxjerrim lojtare nga akademia e klubit. Kjo është e vetmja për çka mendoj”.

Edhe në sportet e tjera ka trajnerë që janë në periudhë të gjatë në krye të skuadrave dhe deri më tani shkarkimi i tyre nuk ka ardhur në shprehje. Kjo është e theksuar te volejbolli i vajzave ku Naser Krasniqi (M-Technologie), Lorik Ilazi (Drita) e Ylli Kadriu (Skenderaj) janë të paprekshem. Këto janë edhe klubet kryesore dhe më të suksesshme në volejbollin kosovar që çdo vit luftojnë për trofe.

Në nivelet më të ulëta ka shumë klube që funksionojnë me një person, i cili është kryetar, sekretar, trajner e madje edhe vozitës e ekonom. Por, bëhet fjalë për nivele amatore.

Sa i takon nivelit të lartë profesional evropian, është e pamenduar që trajneri të jetë kryesori në klub. Niveli më i lartë evropian kërkon strukturë të mirëfilltë, ku trajneri jep përgjegjësi për sukses e mossukses. Dhe në klubet më të mëdha trajneri i raporton drejtorit sportiv, drejtori sportiv kryesisë e kryesia anëtarësisë më të gjerë. Kjo për momentin duket shumë e largët në sportin kosovar.

*Falas