E vogël dhe e ftohtë është salla e improvizuar e karatesë në objektin e fushës me bari sintetik në qytetin e Gjilanit. Është vendi ku i kryejnë stërvitjet çdo ditë Elhami Shabani dhe nxënësit e tij. Ëndrra e karateistit 27-vjeçar nga Gjilani nuk përshtatet shumë me sallën e vogël. Ajo është e madhe. Shumë e madhe madje.
Por, Shabani ka besim të plotë që mund ta realizojë. Përmend dy arsye që e bëjnë të besojë se do ta sigurojë normën olimpike për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, që mbahen verën e këtij viti.
Thotë se është përkushtuar gjithë jetën për një moment të tillë dhe se në turneun kualifikues ku ai pretendon për ta fituar medaljen e artë, atë të Parisit që mbahet në qershor, katër favoritët nuk marrin pjesë pasi e kanë siguruar tashmë normën.
Megjithatë, Shabani pranon se do të jetë garë e fortë për ta siguruar normën në kategorinë deri 75 kilogramë. Sigurimi i normës në karate është dukshëm më i vështirë se në sportet e tjera.
“Janë dy arsye pse besoj shumë. Gjithë këta vite ushtrime janë për ta realizuar këtë ëndërr, sepse për çdo sportist ëndrra është pjesëmarrja në Olimpiadë. Ajo që më bën edhe më shumë të besoj se mund t'ia dal ta fitoj normën është se katër favoritët e kanë fituar normën. Një prej tyre në kategorinë time është edhe legjenda e karatesë, ai pra e ka siguruar normën olimpike. Për këto tri vendet që kanë mbetur, do të garojmë ne të tjerët. Por, do të jetë garë e fortë, sepse e gjithë bota merr pjesë në atë garë. Besoj se mund t'ia dal, kam punuar dhe shpresoj të jetë dita ime”, ka thënë Shabani.
Para se të mbahet turneu në Paris, Shabani dhe karateistët e tjerë kanë edhe tri gara ku mund të fitojnë pikë olimpike e po ashtu edhe kampionati evropian që mbahet në Poreç të Kroacisë prej 19 deri më 23 maj. Megjithatë, Shabani fokusin e ka në Paris.
“Momente të vështira ka plot, por dëshira për të luftuar për normë olimpike është më e madhe. Falënderoj për ndihmën por për një sportist që synon olimpiadën ka nevojë për një ndihmë shumë më të madhe, ku hyjnë pajisjet, ushqimi... Një sportist kulminant që synon pjesëmarrjen në ngjarje të mëdha nuk ka kohë për ndonjë aktivitet tjetër, duhet të shoh vetëm ushtrimet. Është pak problem, por nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi pasi jemi kah fundi”, është shprehur Shabani.
{gallery}
Shabani me sportin e karatesë ka nisur të merret që në moshën 5-vjeçare. Thotë se asnjëherë nuk i është ndarë, pavarësisht sfidave dhe rrethanave që i ka pasur gjatë rrugës.
Ai tregon se deri vonë është detyruar që të punoj edhe si auto-elektricist për të siguruar mjete financiare për të mos i ndalur stërvitjet dhe ëndrrën olimpike.
Shabani në kategorinë e tij është në vendin e 45-të në ranglistën për “Tokio 2020”, ndërsa është më së miri i ranguar prej garuesve të vendit.
“Në 6 të mëngjesit jam zgjuar, i kam kryer ushtrimet e mëngjesit, një dush të shpejtë dhe në ora 8 të mëngjesit jam nisur për në punë. Pastaj nga ora 19:00 kam kryer stërvitjen e pasdites. Deri vonë jam marrë me këtë punë, atë të elektricistit të veturave. Kam qenë në cikël olimpik, por jam detyruar të punoj, sepse nuk kam pasur burim tjetër financiar. Gjitha paratë e fituara nga puna i kam shfrytëzuar për ta ndjekur ëndrrën. Ka qenë e mundimshme, 12 orë të qëndrosh me një vend është e mundimshme, lërë më të punosh”, shprehet Shabani.
Ai thotë se burimin e vetëm financiar e ka pasur nga familja dhe puna që ka bërë. Por, që një vit thotë se merr edhe bursë nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Shabani insiston se ajo nuk është e mjaftueshme, ndonëse falënderon KOK-un.
Shabani së fundi ka hapur edhe klubin e karatesë Emperors, pjesë e të cilit janë edhe vëllai i tij Benjamini dhe Vesa Ibrahimi. Benjamini fitoi medaljen e bronztë në kampionatin evropian të karatesë për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U21, ndërsa sukses të njëjtë kishte edhe Vesa Ibrahimi.
Elhami Shabani është trajner i tyre, prej të cilëve pret që në të ardhmen të fitojnë edhe si seniorë medalje në kampionate evropiane e botërore.
“Gati 18 vjet të punës nuk kemi qenë të pranuar ndërkombëtarisht, tash kjo gjeneratë i ka mundësitë dhe kam menduar t'u qëndroj pranë që një ditë të jenë pjesë e Olimpiadës”, tha ai.
Normën olimpike po e ndjekin edhe Herolind Nishevci, Fortesa Orana dhe Adelina Rama, prej karateistëve të Kosovës. Por, ka garues nga Kosova edhe te Shqipëria, po ashtu që shpresojnë në normë.