Portierët me nam si Ederson i Manchester Cityt, bashkëkombësi i tij, braziliani Alisson Becker te Liverpooli dhe Manuel Neuer i Bayern Muenchenit, vlerësohen shumë në futbollin modern. Por, deri kur FIFA e ndryshoi rregullin e pasimit te portieri 30 vjet më parë, portierët shumë rrallë përdornin këmbët për të marrë pjesë në ndërtimin e një aksioni, përveç se kur e godisnin topin. Ata merrnin kohën që u nevojitej dhe më pas e largonin atë nga posedimi. Ish-portieri i Përfaqësueses së Kolumbisë, Rene Higuita – i njohur për goditjen e famshme akrobatike (goditjen si akrep) – thotë se është përgjegjës për ndryshimin e këtij rregulli dhe ndihet shumë krenar për këtë.
“Të mëdhenjtë e futbollit si Pele dhe Diego Maradona ishin lojtarë shumë të mirë, por ata nuk kanë ndryshuar ndonjë rregull në FIFA”, ka thënë Higuita për AFP-në në një paraqitje vizuele.
Në Kolumbi, vendimi për t’i dënuar portierët që kapnin topin me dorë, i cili u kthehej nga ndonjë bashkëlojtar, njihet ndryshe si “Rregulli i Higuitas”. Trupi qeverisës i futbollit - FIFA - vendosi që të reagonte, pasi Kupa e Botës e vitit 1990 në Itali u përcoll me shumë kritika për shkak të ndërprerjeve në lojë, e që prodhoi rekord shumë të ulët të shënimit të golave, 2.2 gola për ndeshje. Higuita thotë se në atë turne, ai tregoi rrugën drejt sulmit. FIFA e hoqi rregullin e pasimit prapa në Lojërat Olimpike në Barcelonë në muajin qershor dhe korrik të vitit 1992 dhe kjo menjëherë krijoi huti dhe zemërim.
“FIFA i dha fund diçkaje që ishte e tmerrshme. Në Kupën e Botës 1990, thuajse të gjitha ekipet luanin prapa, duke ia dhënë topin portierit”, ka thënë historiani Luciano Wernicke.
Në atë Kupë të Botës, portierët si argjentinasi Sergio Goycochea, Luis Gabelo Conejo i Kosta Rikës dhe Walter Zenga i Italisë “e mbajtën topin në duart e tyre për një periudhë të madhe kohore”, shtoi argjentinasi Wernicke.
Higuita u dallua, jo vetëm për stilin e flokëve kaçurrelë, por edhe se nuk kishte frikë ta mbante topin në këmbë dhe kishte aftësinë për të krijuar situata sulmuese me pasimet e tij për bashkëlojtarët. Por nuk ishte e tëra lavdi. Loja e Higuitas në fund i kushtoi përfaqësueses së tij. Në 1/8 e finales, Higuitas iu mor topi nga sulmuesi Roger Milla i Kamerunit, shumë larg zonës së rrezikshme të portës. Higuita u mundua të driblonte e të shkonte para, por që nuk arriti ta bëjë. Milla më pas vrapoi me topin në këmbë dhe e shënoi golin e fitores në portën e zbrazët dhe e eliminoi Kolumbinë. Festa e tij gjatë dy golave në fitoren 2:1, u bënë momente ikonike të turneut. Higuita, i njohur si “El Loco” (i çmenduri), gjithashtu i gjuante penalltitë dhe goditjet e dënimit. Shënoi 43 gola në karrierën e tij.
“Tani futbolli është më i shpejtë, ka më shumë lëvizje, çdo ditë portierët duhet të bëjnë diçka më shumë me këmbët e tyre për të dhënë diçka për ekipin”, ka thënë Higuita, i cili është i bindur se ai ishte arsyeja e ndryshimit të rregullit.
Përderisa Wernicke e pranon se Higuita ishte i veçantë, ai e kundërshton teorinë e ish-portierit të Kolumbisë.
“Nuk është se ky rregull ndryshoi për shkak të Higuitas, por për shkak të gjithë portierëve që nuk ishin si Higuita”, insistoi ai.
Një prej emrave të mëdhenj të portierëve, si Andoni Zubizarreta i Barcelonës, ishte kundër rregullit të ri, duke u shprehur në gazetën “El Pais” në vitin 1992, se kjo “do t’i limitonte portierët”. Higuita qesh me “djallëzi” kur kujton se si portierët “e paaftë” e kishin problem të adaptohen me rregullin e ri. Santiago Canizares, i cili luajti për Spanjën në Olimpiadën e vitit 1992, së fundmi foli rreth asaj se si rregulli i pasimit prapa e bënte atë nervoz.
“Ishte befasi për ne”, ka thënë ai për “olympics.com”. “Ne nuk e dinim se kjo do të bëhej pjesë e jetëve tona”.
Ndikimi u vërejt menjëherë në Kupën e Botës në SHBA në vitin 1994, që dhuroi 2.7 gola për ndeshje. Këto ishin shifrat më të larta që prej vitit 1970.
“Është rregulli më i mirë në 40 vjetët e fundit, e ka bërë futbollin më dinamik”, thotë Wernicke.
Përgjegjës apo jo, Higuita përkrah çdo masë të marrë që do ta ulte kohën e humbur gjatë ndeshje, për shembull ndaljen e kohës kur topi del jashtë vijave kufizuese.
“Ka shumë biseda rreth zbatimit të ‘kohës reale’, siç është në basketboll dhe kjo nuk është ide e keqe”, thotë Higuita.
Nëse kjo ndodh, Higuita mund t’i marrë meritat.