Sport

Rrëfimi i jashtëzakonshëm i yllit të atletikës

Sir Mo Farah u soll ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar si fëmijë dhe u detyrua të punonte si shërbëtor shtëpie, ka bërë të ditur vetë ylli i atletikës.

Farah i ka treguar BBC-së se atij iu la emri Mohamed Farah nga ata të cilët e sollën nga Xhibuti. Emri i tij i vërtetë është Hussein Abdi Kahin.

Ai u mor nga vendi i Afrikës Lindore në moshën nëntëvjeçare nga një grua të cilën nuk e kishte takuar asnjëherë, dhe më pas u detyrua të kujdesej për fëmijët e një familjeje tjetër.

“Për vite jam munduar që të mos e kujtoj. Këtë e kam bërë për kohë të gjatë”, thotë atleti shumë i suksesshëm i Britanisë së Madhe.

Vrapuesi i distancave të gjata më parë ka thënë se në Mbretërinë e Bashkuar erdhi si refugjat nga Somalia me prindërit e tij.

Por, në një dokumentar nga “BBC” dhe “Red Bull Studios”, që do të publikohet të mërkurën, ai thotë se prindërit e tij asnjëherë nuk kanë qenë në Mbretërinë e Bashkuar – nëna e tij dhe dy vëllezërit jetojnë në Somaliland.

Babai i tij, Abdi, u vra nga disa të shtëna të rastit kur Mo ishte vetëm katërvjeçar, gjatë një konflikti civil në Somali.

Somalilandi shpalli pavarësinë në vitin 1991, por ndërkombëtarisht nuk është i njohur.

Mo, që mban titullin “Sir” thotë se ai ishte tetë apo nëntëvjeçar kur u mor nga shtëpia për të qëndruar me familjen në Xhibuti. Farah më pas u dërgua në Mbretërinë e Bashkuar nga një grua të cilën nuk e kishte takuar asnjëherë dhe që nuk ishte e afërme e tij.

Ajo i kishte thënë atletit të mëvonshëm se do të shkonte në Evropë për të jetuar me familjarët atje, diçka për të cilën ai thotë se ishte “i lumtur” kur e dëgjoi.

“Nuk kam qenë në aeroplan më parë”, thotë Farah.

Gruaja i tha atij se quhej Mohamed. Thotë se ajo i falsifikoi dokumentet e udhëtimit dhe se pranë fotografisë së tij ishte emri “Mohamed Farah”.

Telashet e para

Kur arriti në Mbretërinë e Bashkuar, gruaja e dërgoi atë në banesën e saj në Hounslow, në perëndim të Londrës, dhe ia hoqi një pjesë të letrës ku i kishte detajet e kontakteve të familjarëve.

“Në praninë time, ajo e shqeu atë dhe e futi në koshin e mbeturinave. Në atë moment e dija se isha në telashe”, thotë Mo.

Sir Mo thotë se ai duhej të bënte punë të shtëpisë dhe të kujdesej për fëmijë “nëse dëshiroja të ushqehesha”. Tregon se gruaja i tha atij: “Nëse dëshiron që ta shohësh sërish familjen tënde, mos thuaj asgjë”.

“Shpeshherë mbyllesha në banjë dhe qaja”, thotë ai.

Në vitet e para, familja ku qëndronte nuk e lejoi të shkonte në shkollë. Por kur ai u bë 12-vjeçar, u regjistrua në vitin e shtatë në kolegjin “Feltham Community”.

Stafit iu tha se Mo ishte refugjat nga Somalia.

Mësuesja e tij, Sarah Rennie, i ka thënë BBC-së se Mo shkoi në shkollë “i parregullt dhe pa kujdes”, se fliste shumë pak gjuhën angleze dhe se ishte “fëmijë i izoluar emocionalisht dhe në aspektin kulturor”.

Ajo tregon se personat të cilët kishin thënë se ishin prindërit e djaloshit, nuk kishin shkuar asnjëherë në takimet me prindër.

Mësuesi i edukatës fizike, Alan Watkinson, vuri re një transformim në djaloshin e ri, kur ai hynte në pistat e atletikës.

“Gjuha e vetme të cilën ai dukej se e kuptonte ishte gjuha e edukatës fizike dhe sportit”, thotë Watkinson.

Shpëtimi përmes vrapimit

Sir Mo thotë se sporti ishte mjet shpëtimi për të, sepse “ishte e vetmja gjë që mund të bënte që të largohej nga situata në të cilën jetonte, ishte të ikte dhe të vraponte”.

Ai përfundimisht i besoi dhe i tregoi Watkinsonit për identitetin e tij të vërtetë, të kaluarën e tij dhe familjen për të cilën detyrohej të punonte.

Mësuesi i edukatës fizike kontaktoi qendrën sociale dhe ndihmoi që Farah të kalonte në kujdesin e një tjetër familjeje somaleze.

“Ende më mungon familja ime e vërtetë, por nga ai moment gjithçka nisi të bëhej më mirë”, thotë Sir Mo.

“Ndieja se shumë gjëra po hiqeshin nga shpatullat e mia dhe ndihesha vetja. Aty doli Mo – Mo i vërtetë”.

Sir Mo nisi të bënte emër si atlet dhe në moshën 14-vjeçare ai u ftua të merrte pjesë për shkollat angleze në një garë në Letoni. Por nuk kishte dokumente të udhëtimit.

Zotëri Watkinsoni e ndihmoi të aplikonte për nënshtetësi britanike nën emrin Mohamed Farah, e cila iu lëshua në korrik të vitit 2000.

Në dokumentar, avokati Alan Briddock i thotë Mohamedit se shtetësia e tij ishte marrë teknikisht nga mashtrimi ose keqinterpretimet.

Ligjërisht, qeveria mund ta heqë nacionalitetin e një personi britanik nëse nënshtetësia ishte marrë nëpërmjet mashtrimit.

Por një zyrtar i “zyrës së emigracionit” i ka thënë “BBC News” se nuk do të merren masa ndaj nacionalitetit të Sir Mo Farah, pasi supozohej se fëmija nuk ishte bashkëpunëtor kur nënshtetësia u mor nga mashtrimi.

Megjithatë, zotëri Briddock i shpjegoi yllit të atletikës se rreziku në këtë rast është i vogël.

“Në thelb, definicioni i trafikimit është transportimi për qëllime shfrytëzuese”, i thotë ai Sir Mo-së.

“Në rastin tënd, jeni obliguar që si fëmijë i vogël të përkujdesesh për fëmijë të tjerë të vegjël dhe të bëhesh shërbyes. Dhe më pas iu thua autoriteteve, ‘ky nuk është emri im’. Të gjitha këto kombinime zvogëlojnë rrezikun që zyra e emigracionit t’ua heqë nacionalitetin”.

mst: Këngë pikëlluese

Pasi ai po rritej në komunitet somalez, një grua iu afrua në një restorant në Londër dhe i dha një audiokasetë.

Përmbante mesazhe të regjistruara për Sir Mo-në nga dikush që nuk e kishte dëgjuar për kohë të gjatë – nëna e tij, Aisha.

“Nuk ishte vetëm një kasetë”, thotë Mo. “Ishte më shumë një zë – dhe më pas kishte këngë pikëlluese të kënduara për mua, si poema apo këngë tradicionale. Dhe ato i dëgjoja për ditë, javë”.

Anash në kasetë kishte një numër, kërkohej që ai ta thërriste, por shkruante po ashtu: “Nëse kjo të pengon ose të shkakton probleme, mos e bëj – vetëm leje – nuk ke nevojë të më kontaktosh”.

Nëna dhe djali më pas e bënë telefonatën e parë.

“Kur e dëgjova në fillim, u ndjeva sikur e lëshova telefonin në tokë dhe u barta tek ai nga kënaqësia e madhe që përjetova”, thotë Aisha. “Kënaqësia dhe lumturia e marrjes së përgjigjes nga ai më ka bërë të harroj gjithçka që ka ndodhur”.

Në dokumentar, Sir Mo e merr djalin e tij, i cili quhet Hussein, dhe e dërgon në Somaliland, për t’u takuar me Aishan dhe dy vëllezërit e tij.

“Asnjëherë në jetën time nuk kam menduar se do të shoh ty apo fëmijët e t’u gjallë”, i thotë ajo Sir Mo-së. “Jetojmë në një vend pa asgjë, pa bagëti e me tokë të shkatërruar. Të gjithë menduam se do të vdisnim. ‘Bum, bum, bum’, ishte gjithçka që ne dëgjonim. Të kam larguar për shkak të luftës. Të kam dërguar te xhaxhai në Xhibuti që ti të mund të kesh diçka”.

Kur Sir Mo e pyet Aishan kush vendosi që ai nga Xhibuti të shkonte në Mbretërinë e Bashkuar, ajo thotë: “Askush nuk më tha. Unë humba kontaktet me ty. Nuk kishim telefona, rrugë apo diçka tjetër. Nuk kishte asgjë këtu. Toka ishte shkatërruar”.

Sir Mo thotë se dëshiron ta tregojë historinë e tij për t’i sfiduar perceptimet e trafikimit dhe skllavërisë.

“Nuk e kisha idenë se ka pasur kaq shumë persona të cilët kalojnë rrugën të cilën e përjetova unë. Kjo tregon se sa me fat isha”, thotë ai.

“Ajo që me të vërtetë më shpëtoi mua, ajo që bëri diferencën, ishte se unë mund të vrapoja”.

Gruaja që e solli Sir Mo-në në Londër është kontaktuar nga “BBC-ja” për ta komentuar këtë rast, por ajo nuk është përgjigjur.

Kancelari Nadhim Zahawi, i cili u detyrua të largohej nga Iraku me familjen e tij kur ishte 11 vjeç, ka thënë se historia e Sir Mo-së ishte “zemërthyese dhe e dhimbshme”.

Ai tha për “BBC Breakfast”: “E përshëndes Mo Farahun. Çfarë njeriu i jashtëzakonshëm, ta përjetojë atë traumë në fëmijëri, ta tejkalojë atë dhe të bëhet model për t’u ndjekur. Është me të vërtetë frymëzuese”.