Sport

MKRS-ja e vlerëson të domosdoshëm ristrukturimin e sistemit sportiv në vend

Sistemi sportiv në vend fuqishëm është kontestuar nga trajneri i xhudos, Driton Kuka. Trajneri bindshëm më i suksesshëm, Kuka, ka propozuar krijimin e Këshillit Kombëtar për Sport, që do të caktonte politikat sportive dhe do të mbikëqyrte punën e KOK-ut dhe federatave sportive. Edhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport pranon se sporti po përballet me sfida dhe se ristrukturimi, përkatësisht riorganizimi i mënyrës se si funksionon sporti, është i domosdoshëm

Ristrukturimi i sistemit sportiv në Kosovë është i domosdoshëm. Kështu të paktën vlerësohet në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport. MKRS-ja është përgjegjëse për organizimin dhe financimin e sportit në vend. Aktualisht aktivitetet sportive organizohen përmes federatave sportive dhe Komitetit Olimpik të Kosovës. Shumica e federatave sportive burim të vetëm financiar kanë paratë e buxhetit të Kosovës, të ndara nga MKRS-ja.

Por ka dyshime nëse të gjitha federatat e menaxhojnë si duhet buxhetin dhe kryejnë si duhet misionin e tyre. Vërejtje të shumta ka edhe për punën e MKRS-së e po ashtu të KOK-ut.

Dy ditë më parë, trajneri më i suksesshëm në vend, mjeshtri i xhudos, Driton Kuka, doli me propozim publik për krijimin e Këshillit Kombëtar për Sport. Sipas Kukës, që ka fituar krejt çka mund të fitohet në sport, Këshilli duhet të përbëhet nga njerëz me kredibilitet dhe bagazh sportiv. Ky organ do të përcaktonte politikat sportive dhe do të mbikëqyrte punën e federatave sportive dhe KOK-ut. Ndonëse ka ekipin bindshëm më të suksesshëm në vend, Kuka ka pranuar se sporti kosovar është në krizë dhe duhen ndryshime për të dalë prej saj.

KOHA ka pyetur Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport për propozimin e Kukës. Dhe përgjigjja e MKRS-së është që ristrukturimi i sistemit sportiv në vend është i domosdoshëm.

Në MKRS po ashtu kanë paralajmëruar krijimin e Këshillit Kombëtar apo ndonjë organi tjetër të kësaj natyre.

“Duke e pasur në konsideratë natyrën e veçantë të organizimit dhe funksionimit të sportit si tërësi, themelimi i Këshillit Kombëtar apo krijimi i organeve të tjera udhëheqëse të sportit, është praktikë e zakonshme që implementohet në shtete të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së për KOHËN.

“Marrë për bazë sfidat me të cilat përballet sporti vendor, konsiderojmë se është i domosdoshëm ristrukturimi i sistemit sportiv vendor. Riorganizimi duhet rregulluar paralelisht me krijimin e infrastrukturës së nevojshme ligjore, që të na mundësohen organizimi i mirëfilltë dhe monitorimi i vazhdueshëm i veprimtarisë sportive”.

Aktualisht federatat sportive marrin buxhetin në bazë të memorandumeve që nënshkruajnë me MKRS-në. Shuma që MKRS-ja ndan për federatat sportive përcaktohet përmes kategorizimit. Për kategorizim, për bazë merren shumë faktorë, si sukseset e masoviteti. Kategorizimin e bën KOK-u në bazë të dokumentacionit që dorëzojnë federatat sportive. Ka pasur tendencë që kategorizimi të kalojë në kompetencë të MKRS-së, por një përpjekje fillestare nuk ishte e suksesshme.

Për vitin e kaluar një pjesë e federatave nuk kanë marrë të gjitha paratë që në bazë të Memorandumeve të nënshkruara u takojnë. Ndërkohë për një pjesë të federatave ka pasur edhe mjete shtesë, në bazë të projekteve të caktuara. Pra jo gjithnjë janë respektuar kategorizimi dhe memorandumet.

Për këtë vit, ndonëse ka nisur muaji i pestë, memorandumet nuk janë nënshkruar ende dhe nuk dihet se kur do të bëhet kjo. Rrjedhimisht federatat nuk kanë marrë mjete nga shteti dhe një pjesë e tyre po kanë telashe për të mbuluar shpenzimet e pjesëmarrjes në gara ndërkombëtare.

Menaxhimi i parasë nga federatat sportive është një tjetër problem. Në shumë raste ka mungesë të përgjegjësisë e po ashtu akuza e dyshime për favorizime të grupeve të caktuara brenda federatave. Po ashtu ka dyshime nëse mjetet më shumë destinohen për sportistët apo për personat që udhëheqin me federata. Një pjesë e mirë e federatave funksionojnë me fare pak persona, që janë përgjegjës për të gjitha dhe që pozitat i mbajnë për kohë të gjatë.

Ka të tjera telashe që po sfidojnë sistemin aktual sportiv dhe që vlerësohet se po bëjnë që sporti të ngecë. Se gjërat nuk janë në rrjedhën e duhur e pranojnë edhe në MKRS.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit fuqishëm mbështet nevojën për riorganizim të sportit, instalimin e parimeve të qeverisjes së mirë sportive, konsolidimin e rezultateve profesionale dhe promovimin e aktivitetit fizik si mekanizëm për zhvillimin dhe mbrojtjen e mirëqenies sonë shoqërore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ka vlerësime se vonesa e nënshkrimit të memorandumeve ka të bëjë me një analizë që drejtuesit e rinj të Ministrisë po i bëjnë funksionimit të deritashëm. Por vonesa vlerësohet goditje për sportin, aq më tepër në vitin olimpik.

Edhe trajneri Kuka ka shprehur brengat për vonesën e nënshkrimit të memorandumeve. Ai po ashtu kërkon që përgjegjësia e federatave të jetë më e madhe për paranë publike.

Qëndrimet e Driton Kukës do të merren për bazë edhe nga MKRS-ja.

“Me trajnerin Kuka, si dhe me Federatën e Xhudos së Kosovës jemi në komunikim të vazhdueshëm. Sistemin sportiv vendor do ta plotësojmë në koordinim me të gjithë aktorët e sportit dhe në bashkëpunim me ekspertizë ndërkombëtare”, thonë në MKRS.

Trekëndëshi MKRS – KOK – Federata jo gjithnjë po funksionon si duhet. Ka shumë dështime në gara ndërkombëtare e po ashtu punët vlerësohet se nuk po ecin si duhet as në rrafshin vendor. Tashmë po rriten zërat që mënyra aktuale e funksionimit të ndryshojë. Por nuk ka aktualisht ndonjë ide të qartë se çka duhet të ndryshojë dhe cilat segmente do të preken.