Sport

Krasniqi: I bindur që mund të kontribuoj në zhvillimin e sportit

Kryetari i Federatës së Karatesë të Kosovës (FKK), Ismet Krasniqi, është i bindur që mund të kontribuojë në zhvillimin e sportit të Kosovës. Krasniqi, që bazën deleguese e ka nga Federata Atletike e Kosovës (FAK), për KOHËN thotë se ka përkrahje të mjaftueshme për t’i mposhtur dy kundërkandidatët e tjerë dhe thekson se përfundimisht ka ardhur koha për ndryshime në KOK.

“Unë kam marrë përgjegjësinë për të ngritur zërin tim dhe për të sjellë idetë e mia të zhvillimit përpara, pasi jam i bindur që mund të kontribuoj në zhvillimin e sportit në Kosovë duke u bërë presidenti i ardhshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës. Fokusi im kryesor ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përfshirja e njerëzve profesionistë dhe të përkushtuar në punën e KOK-ut dhe lëvizjes sportive, si dhe Lëvizjes Olimpike. Unë premtoj se politikat dhe stafi im menaxhues do të jenë gjithëpërfshirëse, dhe unë gjithmonë do t’ua jap shansin të gjithëve, të cilët dëshirojnë të kontribuojnë në zhvillimin e Komitetit Olimpik. Unë do të bëj çmos të promovoj vlerat reale të demokracisë dhe do të shërbej për nevojat e komunitetit sportiv dhe për nevojat e Komitetit Olimpik. Shpresoj se komuniteti i sportit do te vlerësojë programin tim pozitivisht gjatë fushatës zgjedhore dhe do të më përkrahë”, ka thënë Krasniqi. Më poshtë mund t’i gjeni pikat kryesore të programit të Ismet Krasniqit.

Programi i kandidatit Ismet Krasniqi

Hapi 1: MENDIMI STRATEGJIK

Të krijojmë një plan strategjik zhvillimor të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Të iniciojmë plane të ngjashme për të gjitha Federatat Sportive të Kosovës.

Të zhvillojmë qëllime afatgjate të Sportit të Kosovës.

Të përcaktojmë statusin aktual të sportit të Kosovës (infrastrukturore dhe jo-infrastrukturore).

Të përcaktojmë nevojat për investime në infrastrukturë.

Të përcaktojmë partneritetet strategjike në të gjithë botën.

Të përcaktojmë rolin e sportit në shoqërinë kosovare.

Të përcaktojmë rëndësinë e sportit në promovimin e Kosovës si vend dhe integrimin ndërkombëtar - të bëhemi faktori kryesor i agjendës politike.

Të përcaktojmë përfitimet ekonomike të sportit në Kosovë.

Hapi 2: VEPRIM I MENJËHERSHËM

Të hetojmë nevojat organizative dhe veprimtarinë e secilës federatë.

Të vlerësojmë kontributin e secilës federatë në sportin e Kosovës.

Të investojmë në aftësitë organizative të federatave sportive.

Të krijojmë një lidhje të fortë ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Sportit dhe Rinisë dhe federatave të sportit.

Të përfshijmë federatat në projektet e zhvillimit: Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian, Kombet e Bashkuara, Solidariteti Olimpik, Fondacionet dhe Qendrat e Investimeve.

Të marrim masa të menjëhershme në përmirësimin e kushteve për sportistët e Kosovës.

Hapi 3: DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE

Përfaqësimi i anëtarëve të Komitetit Olimpik të Kosovës në komisionet e IOC (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar), EOC (Komiteti Olimpik Evropian) dhe ANOC (Shoqata e Komiteteve Olimpike Kombëtare).

Përfaqësimi i anëtarëve të Federatës së Kosovës në organet drejtuese të Federatave

Ndërkombëtare dhe Evropiane.

Krijimi i një grupi ndërkombëtar për lobim, për të mbrojtur interesin e sportit kosovar.

Integrimi i sportit kosovar në Komisionin Evropian dhe lëvizjen sportive të Bashkimit Evropian.

Integrimi i Komitetit Olimpik të Kosovës me grupet e biznesit ndërkombëtar.

Hapi 4: NGJARJET NDËRKOMBËTARE

Të bëhemi organizues të rregullt të ngjarjeve të mëdha sportive.

Të investojmë në njerëz dhe infrastrukturë përmes organizimit të ngjarjeve të mëdha sportive.

Të rrisim aftësitë organizative në Kosovë përmes organizimit të ngjarjeve të mëdha sportive.

Të rrisim aftësitë financiare të federatave sportive në Kosovë përmes rganizimit të ngjarjeve të mëdha sportive.

Të ndikojmë në kulturën vullnetare në Kosovë.

Të ndikojmë në rritjen e njohjeve së Kosovës.

Të ndërtojmë diplomaci dhe të rrisim grupin e lobimit përmes organizimit të ngjarjeve të mëdha.

Të ndikojmë në rritjen e turizmit në Kosovë.

Të përmirësojmë diplomacinë dhe proceset e vizave përmes vizitave të atletëve ndërkombëtarë në Kosovë.

Hapi 5: TRASHËGIMIA E MANDATIT

Trashëgimia infrastrukturore: vende sportive dhe vendet e akomodimit.

Trashëgimia jo-infrastrukturore: burime njerëzore profesional, vullnetarë.

Të ketë përfaqësues të Kosovës në organet drejtuese dhe komisione (minimum 10 federata evropiane dhe/ose ndërkombëtare).

Investimet përmes Projekteve Evropiane (minimumi 10 projekte).

Rritja e buxhetit të Komitetit Olimpik të Kosovës me minimum 20%.

Mbështetje më e fortë financiare për federatat kombëtare të sportit.

Përmirësimi i kushteve për zhvillimin e sporteve bazë.