Rreth 4400 sportistë pritet të marrin pjesë në Lojërat Paralimpike “Tokio 2020”. Në mesin e 160 shteteve pjesëmarrëse në këtë ngjarje, që do të mbahet nga 24 gushti deri më 5 shtator në 22 sporte, nuk do të jetë edhe Kosova. Për paralimpistët kosovarë kjo është ngjarja e tretë e madhe e humbur nëse llogaritet periudha pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) në atë Ndërkombëtar (IOC). Paralimpistët nuk morën pjesë as në Lojërat Paralimpike Verore “Rio 2016” dhe ato Dimërore “Pyeonchang 2018”. E gjithë kjo pasi Komiteti Paralimpik i Kosovës (KPK) nuk është i pranuar në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Në fakt, KPK-ja është organizata e vetme sportive në Kosovë e papranuar ndërkombëtarisht. Faji është i brendshëm, ndërsa përgjegjësitë nuk i merr askush. KPK-ja nuk ka federata të sporteve të ndryshme, nuk ka klube, e si pasojë e këtyre ka pak aktivitete, por mbështetja nga shteti nuk ka munguar. Kryetarja e KPK-së, Njomza Emini, thotë se organizata që udhëheq ka aplikuar për pranim, por u është kërkuar plotësimi i kushteve. KPK-ja është themeluar në vitin 2012 dhe që nga atëherë atë e udhëheq Emini.
“Komiteti Paraolimpik i Kosovës këtë vit ka zgjedhur organet e reja drejtuese, ku jam rizgjedhur në cilësinë e presidentes së Komitetit Paraolimpik të Kosovës. Procesi, përveç pjesëmarrjes së delegatëve të komitetit, është kryer edhe në prezencë të përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të cilët kanë monitoruar zgjedhjen e strukturave drejtuese. Pasi ka përfunduar procesi i brendshëm zgjedhor dhe riorganizimi i anëtarëve, këtë vit me mbështetje të Komitetit Olimpik të Kosovës do të dorëzojmë dokumentacionin për anëtarësim në Komitetin Paraolimpik Ndërkombëtar, ku mbesim me shpresë që vitin e ardhshëm do të jemi anëtar me të drejta të plota në Komitetin Paraolimpik Ndërkombëtar. Na duhen ende federata t’i themelojmë dhe jemi në proces. Aplikimin e kemi dorëzuar dhe na kanë kërkuar edhe disa detyra të tjera”, ka thënë Emini të dielën për KOHËN.
I formuar në vitin 2012, por ende i paorganizuar
Kosova së fundi në Lojërat Olimpike të mbajtura në Tokio u paraqit me 11 sportistë. U kthye me dy medalje të arta, falë xhudisteve Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova. Lojërat Paralimpike mbahen pas atyre Olimpike. Komiteti Paralimpik i Kosovës funksionon i ndarë nga ai Olimpik i Kosovës. Janë dy organizata dhe duhet të përbëhen nga federatat e tyre. Por e keqja është se Komiteti Paralimpik i Kosovës nuk është mirë i organizuar. Nën ombrellën e vet duhet të ketë federata. E për të formuar federata, fillimisht duhet formuar klube. Aktualisht, KPK-ja është në proces të organizimit, ndonëse është i themeluar në vitin 2012.
Edhe kryetarja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, pranon se duhet organizim në organizatën të cilën e udhëheq nga viti 2012. Ajo insiston se nga momenti i themelimit të KPK-së aktivitetet nuk kanë munguar asnjëherë. Në fakt, kanë bërë disa organizime, por jo edhe të marrin pjesë në ngjarjet më të mëdha.
“Sa u përket sporteve të ndryshme jemi duke themeluar federatat dhe klubet në sporte të ndryshme, për ta formalizuar angazhimin e sportistëve me aftësi të kufizuara në disa sporte, si dhe në funksion të organizimit të kushteve më të mira që sportistët me aftësi të kufizuara të përfshihen dhe të marrin pjesë në të ardhmen në gara të ndryshme”, është shprehur Emini.
Edhe pse nuk ka marrë asnjëherë pjesë në ngjarje të mëdha, KPK-së megjithatë nuk i ka munguar mbështetja nga shteti. Ka thithur fonde edhe nga sponsorët. Së fundi, me MKRS-në ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi në vlerë prej 15 mijë eurosh, ndërsa nga marrëveshja me Bankën TEB ka përfituar 20 mijë euro. Emini pranon se ndihma nuk i ka munguar.
“Sa i përket bashkëpunimit me institucione vendore dhe donatorë të tjerë, kemi nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për mbështetje të aktiviteteve të komitetit, me qëllim ofrimin e mundësive për pjesëmarrje dhe organizimin e shumë aktiviteteve për personat me aftësi të kufizuara, si dhe kemi nënshkruar Marrëveshje për Mbështetje me TEB Bank për 4 vjet, për mbështetje të aktiviteteve të ndryshme të planifikuara”, ka treguar Emini.
Mospjesëmarrja në Lojërat Paralimpike, humbje e madhe për sportistët
Më i ashpri në reagim për mospjesëmarrje të Kosovës në Lojërat Paralimpike “Tokio 2020” ka qenë trajneri i klubit të atletikës Malisheva, Adrian Mazreku. Ai faj i vë udhëheqjes së Komitetit Paralimpik të Kosovës në krye me Njomza Eminin. Mazreku insiston se për shkak të mosaplikimit të KPK-së për pranim në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, i është pamundësuar pjesëmarrja në Tokio atletit Grevist Bytyqi.
“Është një problem këtu, pasi Njomza Emini është kryetare e vetëshpallur e Komitetit Paralimpik të Kosovës dhe përkrahet me memorandume bashkëpunimi nga Ministria në dy vjetët e fundit. Nuk ka qenë në gjendje të aplikojë për pranim në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, sepse vetëm të aplikonte dhe të bënte gati një dosje, Komiteti Paralimpik i Kosovës do të pranohej dhe Kosova do të kishte pasur garues në Lojërat Paralimpike të Tokios”, ka thënë Mazreku.
Mazreku insiston se atleti Grevist Bytyqi është shpresë e madhe e Kosovës dhe se ka vite që është përgatitur për pjesëmarrje në Tokio. Madje, është munduar ta dërgojë Bytyqin në ngjarje të mëdha edhe nëpërmjet Federatës Atletike të Kosovës, por pa sukses. Mazreku ka pranuar zhgënjimin e tij dhe të atletit Bytyqi.
“Ne jemi munduar disa herë ta dërgojmë Grevistin nëpërmjet Federatës Atletike, pasi ai në klubin tonë stërvitet me atletët e rregullt, por përgjigja ka qenë që duhet aplikuar dhe pranuar në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Reagimi ynë ka ardhur për shkak të zhgënjimit të madh që nuk kemi përfaqësues në Tokio dhe mbi të gjitha, Grevisti është përgatitur maksimalisht gjatë tërë kohës. Ai paraqitet në garat 800 dhe 1500 metra vrapim dhe në Kosovë është i detyruar të futet me atletë të rregullt për shkak se nuk kemi gara të tjera”, është shprehur ai.
Mazreku insiston se është humbur një rast i mirë për pjesëmarrje në Tokio, por pret që Komiteti Paralimpik i Kosovës të aplikojë për pranim dhe sportistëve t’u mundësohet pjesëmarrja në Lojërat e ardhshme Paralimpike. Pas “Tokios” do të mbahen edhe Lojërat Paralimpike Dimërore “Pekini 2022”, ndërsa ato verore në vitin 2024 në Paris.
“Ne si klub kemi qenë të gatshëm ta dërgojmë atletin tonë, Grevist Bytyqin, dhe jemi përgatitur vazhdimisht prej kur kanë përfunduar Lojërat Paralimpike të Rios. Prej asaj kohe ne vazhdimisht kemi bërë presion për aplikim në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe kemi vazhduar me përgatitjet tona. Është humbur një rast shumë i mirë dhe shpresoj se në të ardhmen të mos ketë neglizhenca të tilla. Por, të aplikojmë dhe të pranohemi në fund të këtij viti, në mënyrë që të na lejohet pjesëmarrja në garat e tilla”, ka thënë Mazreku për KOHËN.
Humbje të madhe mospjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Paralimpike të Tokios e ka vlerësuar edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi.
“Mospjesëmarrja e ekipit paralimpik të Kosovës në Lojërat Paralimpike ‘Tokio 2020’ sigurisht që është humbje, si për Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe sportistët, po ashtu edhe për shtetin tonë, i cili ka nevojë të promovohet sa më shumë”, ka thënë Krasniqi të dielën për KOHËN.
Krasniqi ka thënë se shpejt do ta ftojë kryetarin e KPK-së për takim, për ta parë mundësinë e ndihmës për aplikim për pranim në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Ai insiston se aplikimi është proces i vonuar.
“Unë gjatë javës tjetër do të kem takim me kryetaren e këtij Komiteti, Njomza Eminin, për t’i ndihmuar në anëtarësimin e tyre në Komitetlin Paralimpik Ndërkombëtar. E dimë që aplikimi i tyre është i vonuar, por besoj se me ndihmën tonë ata shpejt do ta kompletojnë lëndën për aplikim, për çka besoj se do të anëtarësohen dhe njëkohësisht t’u hapen dyert edhe paralimpistëve që ta përfaqësojnë vendin në Lojërat Paralimpike”, ka thënë Krasniqi.
Atleti i klubit Malisheva, Grevist Bytyqi