Sport

Kosova pa infrastrukturë, por me ambicie për Lojëra Mesdhetare

Dy pishina olimpike, një arenë e atletikës me rreth 3000 ulëse, një qendër olimpike për shigjetari, shenjëtari e sporte të tjera, një qendër e tenisit, një stadium me mbi 20 mijë ulëse e Fshati Mediteran, janë midis kritereve bazë që duhet t’i plotësojë një vend për të qenë nikoqir i Lojërave Mesdhetare. Por Kosova, që aktualisht nuk e plotëson asnjë prej këtyre kërkesave, synon që të mirëpresë Lojërat pas 7 vjetësh.

Për këtë edhe ka aplikuar zyrtarisht që të jetë nikoqire e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare 2030. Aplikimi i Kosovës është vlerësuar si historik, të martën në një konferencë për media, kur udhëheqësit shtetërorë dhe ata të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) janë bërë bashkë për të shpalosur synimet e mëdha. KOK-u ka kohë deri në fund të qershorit të dorëzojë dosjen e kandidaturës. Më pas Komisioni i Vlerësimit do të bëjë një vizitë në Kosovë, kurse vendimin se cilit shtet do t’i besohet organizimi i Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare do ta marrë më 8 shtator, gjatë Asamblesë së Përgjithshme në Greqi.

Image
Në mungesë të infrastrukturës, shigjetarët e Kosovës organizojnë gara edhe në oborret e shkollave. Në oborre të shkollave dhe të shtëpive stërviten edhe hedhës të gjyleve dhe disqeve

Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare në njoftimin e publikuar e ka bërë thuajse punë të kryer mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë. Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, ka thënë se krahas kritereve bazë mund të shtohen edhe disa kërkesa të tjera për t’u plotësuar.

“Gjatë rrugës mund të kenë kërkesa edhe për palestra të vogla deri në 800 ulëse, ku mund të zhvillohen ndeshjet kualifikuese të sporteve ekipore dhe të zhvillohen stërvitjet. Kosova do të ketë nevojë edhe për disa hotele, përfundimisht, dhe besoj se qëndrimi dhe investimi i Qeverisë do të jetë rinovimi i Qendrës Studentore, që do të transformohet në një fshat mediteran për Lojërat Mesdhetare dhe pas përfundimit të tyre do të jetë trashëgimi për 30 vjetët e ardhshëm për studentët. Ky është plani sa i përket infrastrukturës. Edhe në strategjinë kombëtare për sport është paraparë investimi në infrastrukturë me një shumë të konsiderueshme”, ka thënë Aliti të mërkurën për KOHËN.

Lojërat Mesdhetare janë paraparë të shtrihen në tërë territorin e Kosovës, saktësisht në shtatë komunat më të mëdha. Po ashtu, në bashkëpunim me Shqipërinë janë pajtuar që ngjarjet që kërkojnë qasje në det të mbahen në bregdetin shqiptar.

“Është obliguese të përfshihen të gjitha sportet. Ne deti nuk kemi dhe lundrimin do ta zhvillojmë në Shqipëri, pasi ekziston marrëveshje mes shteteve. Tarragona ka pasur infrastrukturë investuese. Pallati i Rinisë dhe Sporteve, 1 Tetori, palestrat nëpër komuna do të rinovohen. Ne do të ndërtojmë qendrën olimpike, stadiumin kombëtar, qendrën e tenisit, dy pishina olimpike. Ceremonia hapëse mund të jetë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ nëse rritet kapaciteti, pasi me 13 mije ulëse nuk është e mjaftueshme. Nëse rinovohet dhe shtohet në 20 mijë ulëse, mund të mbahet. Përndryshe duhet stadium i ri”, ka theksuar Aliti.

Investimi milionësh

Organizimi i kësaj ngjarjeje kërkon investim të madh, milionësh, ndërsa përfitimi më i madh pritet të jetë në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend. Në Lojërat Mesdhetare marrin pjesë sportistët më të mirët të sporteve të ndryshe të 26 vendeve pjesëmarrëse. Në disa të tjera konkurrenca është më e zbehtë. Në programin e Lojërave Mesdhetare aktualisht janë sporte si: noti, atletika, xhudoja, basketbolli, boksi, futbolli, gjimnastika, hendbolli, volejbolli, karateja, mundja e sporte të tjera. Kosova pritet të garojë me shumicën e sporteve të programit mesdhetar. Por, në fakt, sportistët e Kosovës stërviten në kushte të vështira. Madje edhe garat i organizojnë në hapësira të improvizuara. Për shembull, Kosova nuk ka as shteg të atletikës për gara ndërkombëtare, notarët garat i zhvillojnë në pishina private dhe gjysmolimpike. Punët për ndërtimin e pishinës olimpike në Prizren kanë ngecur. Tjetër pishinë olimpike nuk është nisur nga shteti. Nuk është nisur as edhe stadiumi kombëtar. E me gjasë nuk pritet të ndërtohet. Stadiumet ekzistuese janë larg përbushjes së kritereve për ndeshje ndërkombëtare. Aktualisht vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” e plotëson kriterin minimal për ndeshje ndërkombëtare. Për t’u mbajtur ceremonia hapëse duhet të rritet kapaciteti. Është folur rritja e kapacitetit, por që ende nuk ka asnjë hap në atë drejtim. Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë ka mbetur gërmadhë. Palestrat e lëshuara për sportistë janë të papërfunduara ose me shumë defekte. Shumica e tyre vërshohen nga uji sa herë që ka reshje në vend. Edhe për sportistë të sporteve individuale ka telashe të mëdha, nga vendet ku stërviten e deri te garat. Sportistë të sporteve të ndryshme stërviten nëpër livadhe, oborre të shkollave dhe të shtëpive. Për disa sporte nuk ka as objekte e as hapësira e fusha për t’u zhvilluar si sport. Një prej tyre është golfi.

Image
Palestra në Istog që ka përfunduar në vitin 2020, mbushet me ujë sa herë që ka reshje në vendin tonë. Kjo palestër i ka kushtuar shtetit mbi dy milionë euro

“Para se të fillonim procesin e aplikimit, ne kemi pasur kontakte të vazhdueshme me MKRS-në. Përveç punës me Ministrinë dhe përmes analizave faktike që i kemi pranuar gjatë procesit të strategjisë kombëtare për sport, ne pak e shumë e dimë se cila është gjendja e infrastrukturës në Kosovë. E, duke marrë parasysh kërkesat e Komitetit për Lojërat Mesdhetare, ne faktikisht e dimë se çka kërkojnë ata për organizimin e këtyre lojërave. Natyrisht që duhet një investim, por investimi është në përputhje me planin e strategjisë”, është shprehur Aliti.

Ai ngul këmbë se Kosova mund t’i kryejë të gjitha punët që i takojnë si organizatore.

“Besoj se ky do të jetë një impuls që punët që janë dashur të kryhen për 10 vjet, të kryhen për 5 vjet. Jam i bindur që puna mund të kryhet, normalisht që organizimi i një ngjarjeje të tillë nuk kërkon vetëm përkushtimin dhe implikimin e KOK-ut, por të gjithë shtetit. Unë jam i bindur se me një punë të përbashkët mund të tregojmë fuqinë, mund të përmbushim kriteret. Plani i parë apo faza e parë që do të fillojë në 10 ditët e ardhshme është studimi i fizibilitetit financiar dhe teknik, dhe kjo do të determinojë saktë sa është në përputhshmëri investimi i paraparë nga shteti dhe sa do të duhet të shtojë. Ne jemi në këtë fazë dhe duhet të bëjmë një aplikim. Është shumë vështirë të thuhet kostoja, por nëse marrim shembull Tarragonan, atje investimet kanë qenë minimale, pasi kanë bërë rinovime”, thotë Aliti.

Kosova ka fituar dhjetë medalje në Lojërat Mesdhetare

Aliti ka thënë se ka forma të ndryshe për të gjetur përkrahje financiare. Por, kjo thotë se i takon shtetit.
“IOC-ja mund të na mbështesë me pajisje sportive, duhet të flasim me FIFA-n për stadiume, pastaj me federatat ndërkombëtare për sportet e tjera. Ka edhe fonde të tjera dhe duhet shteti të angazhohet për t’i gjetur këto fonde. Ne i kemi kushtet e përcaktuara. Deri më 30 qershor duhet të kryejmë studimin e fizibilitetit dhe aplikimin duhet ta dorëzojmë zyrtarisht, pastaj do të organizohet vizita sportive dhe pastaj në shtator në Greqi do të vendoset nikoqiri. Jemi të bindur se mund ta fitojmë këtë organizim dhe kemi përkrahje të madhe nga të gjithë dhe kemi garanci të mëdha për këtë”, ka thënë Aliti.

KOK-u prej vitit 2015 është anëtar me të drejta të plota në Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) dhe ka marrë pjesë në dy edicione të kësaj ngjarjeje. Në vitin 2018 në Tarragona të Spanjës dhe vitin e shkuar në Oran të Algjerisë, ku sportistët e Kosovës kanë fituar dhjetë medalje. Kosova ka debutuar me tri medalje të arta e një të argjendtë në Lojërat Mesdhetare. Xhudistët Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Akil Gjakova kishin fituar medalje të arta, ndërsa Loriana Kuka medalje të argjendtë. Kjo ndodhi në Tarragona të Spanjës në verën e vitit 2018. Në Oran të Algjerisë, verën e kaluar, numri i medaljeve të Kosovës në Lojëra Mesdhetare u rrit në gjashtë, prej tyre tri të arta. Të artat sërish i fituan xhudistet Distria Krasniqi, Laura Fazliu e Loriana Kuka. Flaka Loxha e Akil Gjakova fituan medalje të bronzta në xhudo, ndërsa një të bronztë e fitoi edhe boksieri Shpejtim Bajoku. Në Taranto të Italisë, në vitin 2026, Kosova do të synojë më tepër medalje se në Oran. Por edhe më shumë do të kërkojë në Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.