Sport

Kosova e gatshme për një tjetër organizim të suksesshëm dhe për kalim tutje

Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) ka organizuar pesë ngjarje të mëdha prej vitit 2015. Për të gjitha ka marrë notë pozitive nga organizatat ndërkombëtare, ndërsa është e gatshme edhe për një tjetër organizim të suksesshëm sivjet. Në bazë të shortit, Kosovës i takon e drejta e organizimit të turneut kualifikues të Kampionatit Botëror të vitit 2023, nëse ka darkordim edhe nga përfaqësueset e grupit të parë që të gjitha ndeshjet të luhen në një vend. E që sipas gjasave një gjë e tillë do të ndodhë. Kështu të paktën thonë krerët e FHK-së. Shorti për fazën e parë të kualifikimeve evropiane për Botërorin e ardhshëm është tërhequr të enjten, ndërsa Kosova në grup është bashkë me Belgjikën, Turqinë dhe Greqinë.

Krahas organizimit, “Dardanët” synojnë kalimin tutje nëpërmjet dy vendeve të para pas sukseseve të viteve të fundit. Dy të parët në secilin grup kalojnë në raundin tjetër. Në fazën e parë kualifikuese paraqiten ekipet përfaqësuese që nuk janë kualifikuar në “Euro 2022”.

Sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci, thotë se qysh tash kanë nisur bisedimet me shtetet e tjera të grupit për t’u dakorduar që kualifikimet të zhvillohen në Kosovë me sistem turneu, dhe jo vajtje-ardhje. Nëse vendoset që të luhet me sistem vajtje-ardhje, atëherë ndeshjet fillojnë prej javës së parë të muajit nëntor.

“Ne jemi të gatshëm ta marrim organizimin sipas shortit që na e dha të drejtën, nëse merremi vesh me përfaqësueset e tjera që sistemi i kualifikimeve të zhvillohet në formë turneu e jo pikësh. Ne kemi nisur qysh tash bisedimet me shtetet e grupit. Ne dhe Belgjika qysh sot jemi për sistem turneu. Dhe, tash na duhet edhe një tjetër përfaqësuese të dakordohet për t’u zhvilluar cikli kualifikues në sistem turneu e që besoj se do të ndodhë. Besojmë se edhe Turqia, por edhe Greqia do të pranojnë”, ka thënë Gjinovci të enjten për KOHËN.

Kosova ka përvojën e duhur për organizim, madje edhe të suksesshme. Ka organizuar në vitin 2015 kualifikimet për U-17. Në po të njëjtin vit ka organizuar “IHF Emerging Nations Championship”, “IHF Trophy Eurpe Zone” për U19 në vitin 2018, “IHF Trophy Intercontinental 2019” për U-20 dhe sivjet kualifikimet për Botërorin 2020 të femrave. Kosova, në fakt, ka lejuar edhe organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe vendore me kapacitet prej 30 për qind të shikuesve. E terrenin vendas, Gjinovci thotë se shpreson ta shfrytëzojë Kosova për t’u kualifikuar tutje.

“Grupi është shumë i niveluar, por ne duhet ta shfrytëzojmë terrenin vendas dhe kuptohet publikun, i cili lejohet në bazë të vendimeve të shtetit. Ne duhet të bëjmë përgatitje të kalojmë tutje pa shikues apo edhe me përkrahjen e tyre”, është shprehur Gjinovci.

Në kualifikimet e kaluara për Botëror, Kosova doli e dyta, ndërsa ndeshjet ishin luajtur në Itali. Në kualifikimet e fundit për Evropian, Kosova shënoi fitore historike ndaj Rumanisë, ndërsa kishte edhe një barazim. Po ashtu, luajti edhe dy ndeshje të forta me Malin e Zi. Edhe selektori Bujar Qerimi e ka vlerësuar të vështirë shortin. Sipas tij, grupi i Kosovës është më i fortë se tri grupet e tjera, por ai ka thënë se nuk duhet të ketë justifikime dhe se synim mbetet avancimi në fazën tjetër kualifikuese.

“Është grupi më i vështirë i mundshëm. Grupi ynë është më i fortë se grupet e tjera. Por nuk ka arsyetime. Duhet të përgatitemi për të pasur sukses në këto kualifikime. Nëse vendoset që ndeshjet të luhen në një vend, atëherë do të luhen te ne dhe kjo është përparësi. Por në të njëjtën kohë lojtarët mund të jenë në presion më të madh”, ka thënë Bujar Qerimi për faqen zyrtare të FHK-së.

Qerimi jeton në Belgjikë, shtet të cilin Kosova e ka në grup. Sipas tij, Belgjika do të jetë rival i vështirë, ndërsa ka vlerësuar Greqinë dhe Turqinë.

“Nëse vendoset për turne, atëherë tri ndeshje luhen brenda tri ditëve. Aspekti fizik do të ketë rëndësi, sidomos faza e rikuperimit mes ndeshjeve. Grupi është i balancuar, ndërsa përparësi e rivalëve mund të jetë përvoja më e gjatë në kualifikime. Sa i takon Belgjikës, ka një portier shumë të mirë dhe 4-5 lojtarë në Francë, në kategorinë e parë dhe të dytë. Belgjika ka ekip të kompletuar. Gjithsesi synimi ynë mbetet njëra prej dy vendeve të para. Tani mbetet të shohim nëse do të vendoset për turne apo për vajtje-ardhje. Nëse vendoset për vajtje-ardhje, ndeshjet e para i kemi që në nëntor dhe duhet të përgatitemi maksimalisht. Lojtarët jam duke i përcjellë, ndërsa lista do të jetë e gjerë me më shumë emra të përfshirë”, ka theksuar Qerimi.

Në grupin e dytë janë Finlanda, Estonia, Gjeorgjia dhe Britania e Madhe. Në grupin e tretë janë Rumania, Izraeli, Qipro e Moldavia. Ndërsa në grupin e katërt janë Letonia, Italia, Luksemburgu e Ishujt Faroe.