Ligji për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit vlerësohet se i ka dhënë hov zhvillimit të sportit në vend. Ligji ka disa vjet që aplikohet dhe të hyrat për sportin kosovar përmes tij tashmë janë goxha të mëdha.
Por ka dyshime gjithnjë e më të mëdha që paratë e përfituara nga marrëveshjet e sponsorizimit nuk po përfundojnë në vendin e duhur, përkatësisht te sportistët kosovarë. Dyshimet janë të mëdha që një pjesë e konsiderueshme e mjeteve, në raste edhe 50 për qind e tyre, kthehet në mënyrë të paligjshme tek ata që i ndajnë mjetet bazuar në këtë ligj. Natyrisht, shumica e marrëveshjeve vlerësohen të rregullta dhe pa shkelje. Por për një pjesë dyshimet janë të mëdha.
Ka vërejtje e dyshime edhe për faktin që me mjete të sponsorizimit, që në mungesë të ligjit do të përfundonin në buxhetin e shtetit, ndahen paga shumë të larta, në raste edhe rreth 10 mijë euro në muaj, për sportistët e trajnerët. Pagat më të larta vlerësohet se janë në basketboll e futboll dhe kryesisht për sportistët e huaj. Kështu, mjetet e përfituara nga Ligji për sponsorizim, që është aplikuar për përfitim të sportit kosovar, përfundojnë te sportistët e huaj.
Është trajneri më i suksesshëm në vend, Driton Kuka, që ka reaguar përmes një postimi të dielën.
“Ka ardhur koha që ky ligj të plotësohet me akte nënligjore dhe mjetet të shkojnë te sportistët që janë interes nacional. Është koha që këto mjete të investohen ku duhet, te sportistët tanë vendorë e jo ndryshe. Të krijohen kritere sa e kush mund të marrë paga nga këto mjete, por gjithmonë për sportistë vendorë e trajnerë vendorë. Veproni sa më shpejt, sepse shumëçka nuk po shkon si duhet”, ka shkruar Driton Kuka.
Ditë më parë deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë vizituar KOK-un dhe disa federata sportive. Qëllimi i vizitës ishte marrja e informatave për zbatimin e Ligjit për Sponsorizime dhe gjetja e mundësive për përmirësimin dhe lehtësimin e funksionimit të tij.
“Presidenti Ismet Krasniqi shtoi se tani ky ligj është jetik për mbarëvajtjen dhe funksionimin e sportit në Kosovë, duke përmendur këtu edhe ngritjen dhe përmirësimin e rezultateve të sportistëve dhe vetë sportit tonë”, shkruan në njoftimin e KOK-ut të lëshuar pas takimit me deputetët e Kosovës, anëtarë të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.
Ka dyshime që një pjesë e klubeve sportive ofrojnë përqindje për ata që sigurojnë marrëveshje sponsorizimi. Përqindja e ndarë më pas mbulohet me fatura të tjera, natyrisht jo në përputhje me ligjin.
Vjet, sipas të dhënave zyrtare të MKRS-së, janë ndarë mbi nëntë milionë euro për sportin nga marrëveshjet e sponsorizimit. Shumica e këtyre parave kanë përfunduar te klubet e futbollit dhe basketbollit. Nga 700 vërtetimet e lëshuara, përmes të cilave realizohen marrëveshjet e sponsorizimit, një pjesë janë goxha të dyshimta.
Për shembull, një klub i çiklizmit kishte përfituar 85 mijë euro vetëm nga një marrëveshje e sponsorizimit. Një shkollë e futbollit kishte përfituar 91 mijë e 500 euro. Shkolla në fjalë ofron stërvitje për të rinjtë me kompensim financiar, por nga sponsorizimi i përfitoi edhe mbi 90 mijë euro. Një klub i kikboksit kishte përfituar 70 mijë euro. Një klub i futsallit 60 mijë euro. Një i autosporteve plot 115 mijë euro. Boulingu, që më shumë është lojë rekreative, e ka një klub që vjet i përfitoi 20 mijë euro nga marrëveshjet e sponsorizimit. Një klub i tenisit kishte përfituar 47 mijë e 500 euro.
Lista është e gjatë, ndërsa dominohet nga klubet e basketbollit dhe futbollit. Kishte klube që kanë përfituar gati një milion euro brenda një viti nga marrëveshjet e sponsorizimit.
Numri i vërtetimeve të lëshuara këtë vit është më i vogël se vitin e kaluar, ka mësuar KOHA. Edhe në MKRS, ndonëse jozyrtarisht, pranojnë se ligji nuk ka rregulla të qarta dhe se duhet të ndryshojë.
“Duhet të saktësohet se cilën shumë klubet mund ta shfrytëzojnë për rroga të lojtarëve e cilën për aktivitete të tjera. Duhet të vendoset një ‘tavan’ për atë se sa mund të përfitojë një klub apo një federatë ose të saktësohen pozicionet në të cilat mund të shpenzohen paratë e përfituara nga Ligji për sponsorizime. Gjasat janë shumë të mëdha që ligji të ndryshojë, përkatësisht të plotësohet së shpejti”, kanë thënë burime të KOHËS të afërta me zhvillimet.
Nga MKRS-ja nuk ka ende ndonjë përgjigje zyrtare lidhur me dyshimet për keqpërdorime dhe vërejtjet e trajnerit Kuka.
Ligji për Sponsorizime tashmë vlerësohet shumë i rëndësishëm për sportin kosovar. Pa të, rënia vlerësohet se do të ishte e madhe. Por në të njëjtën kohë, kontrollimi vlerësohet se duhet të jetë shumë më rigoroz, sidomos për atë se ku përfundojnë paratë dhe a po përfundojnë ato vërtet te sportistët, që edhe është qëllimi primar i ligjit.