Rrugë të tretë për Urim Zenelajn nuk kishte. I duhej të vendoste mes profesionit të mjekut ose të bëhej basketbollist. Në fund vendosi për sportin e basketbollit.
Gjuajtjet e para i bëri në koshin e vënë në oborrin e shtëpisë e më pas shumë larg fshatit Gjinoc të Suharekës.
“Ne jetonim në fshat, larg qytetit. Ka pasur momente kur ndoshta edhe nga 7-8 orë kam luajtur me top në koshin në oborr, që e kisha rregulluar me ndihmën e disa familjarëve. Aty kam luajtur gjatë gjithë kohës. Pastaj një vit në Suharekë dhe kam ardhur në Prizren”, nis Urimi rrëfimin për karrierën 18-vjeçare në basketboll.
Rruga që Zenelaj zgjodhi nuk ishte e lehtë. Vështirësitë për gjigantin nisën prej kur nisi të merrej me basketboll..
“Fillimi ka qenë shumë i rëndë. T’u tregosh gjeneratave të reja do të mendojnë se jam duke bërë shaka. Por atëbotë stërviteshim në Shkollën Ekonomike këtu në Prizren deri në ora 23:00. Kthimi në fshat kishte vështirësitë e tij. Qëndronim në rrugë me orë të tëra për të pritur që dikush të na marrë me vete për në fshat. Na ka zënë në shumë raste edhe ora një e natës duke pritur, në shi e në borë”, ka treguar Zenelaj.
Por synimet që kishte Urimi kalonin vështirësitë.
“Në ora 7 të mëngjesit vija në Shkollë të Mjekësisë në Prizren dhe duhej të qëndronim gjithë ditën në Prizren. Pas mësimit e kalonim kohën duke lexuar apo duke bërë ndonjë aktivitet tjetër derisa vinte koha e ushtrimeve në 5 ose 6 pasdite me profesorin e ndjerë Dervish Agajn, ku qëndronim deri në 10 apo 11 të natës”, thotë qendra dominuese e basketbollit kosovar.
Edhe pse periudhë me shumë vështirësi, basketbollisti i gjatë 212 centimetra thotë se po të kishte mundësi do ta kthente atë.
“Si fëmijë jam rritur duke i shikuar në televizor ekipet si Trepça, Prishtina, Bashkimi, Peja. Shpesh na ndalej rryma dhe nuk mund t’i shikonim deri në fund ndeshjet, por ishte ajo ndjenja që një ditë të arrij të luaj edhe unë. Pastaj kur filluam të luanim, ekspertët e basketbollit që vinin nga jashtë më jepnin shpresë që mund të arrij edhe më shumë, por lëndimet e gjata nuk na mundësuan”, është shprehur 32-vjeçari nga Suhareka.
Në një moment, Zenelaj ishte gati ta linte basketbollin dhe të merrej me boks. Por nuk e la nëna e tij.
“Kur kam qenë ndoshta 15-vjeçar isha i gjatë 207 apo 208 centimetra, por nuk e kisha forcën të luaja kundër qendrave të huaja. Dhe erdhi momenti që unë u lodha dhe thashë se dua ta lë basketbollin për t’u marrë me boks. Nëna në shtëpi m’u drejtua me fjalët se a kam gjetur ndonjë shtëpi tjetër. Pra, nëna ishte shtytja që unë nuk e lashë, sepse më tha se përveç basketbollit nuk do të më lejonte të merresha me ndonjë sport tjetër”, ka treguar Zenelaj.
Ai falënderon nënën për vendosmërinë dhe për mbështetjen e madhe që ia ka dhënë. Por tregon se jo gjithnjë ka qenë në anën e tij. Kritikat më të mëdha i ka pasur nga e ëma, madje edhe kur luante mirë.
“Ëndrra e shuar”
Urimi kishte ëndërr që një ditë të luante në NBA. Shtatin e kishte, por jo edhe gjërat e tjera. Jo edhe fatin.
“Ëndërr e shuar, sepse nuk ma mundësuan lëndimet. Ishte koha kur nënshkruaja në Serie A të luaja në Itali dhe atje u lëndova ku u detyrova të bëhesha operacion dhe pastaj mori kah tjetër karriera. Sporti është 50 % punë, 50 % fat dhe duhet të pajtohesh me gjithçka”, pranon Urim Zenelaj.
Zenelaj është basketbollist i Proton Cable Prizrenit, ndërsa më herët në Kosovë ka luajtur edhe për Yllin, Prishtinën, Bashkimin.
Ai thotë se në të gjitha klubet ka dhënë maksimumin. Insiston se lëndimet e kanë penguar shumë.
Edhe gjatë stërvitjes me Prizrenin, ku ekipi i KOHËS e përcolli, ankohej për një lëndim të vjetër.
“Unë e kam dhënë maksimumin. Por kam pasur lëndime shumë gjatë karrierës, ku tash pak njerëz e dinë. Por unë që pesë vjet është dashur ta bëja gjurin e djathtë operacion, por nuk po e bëj, që t'i ndihmoj ekipit dhe jam duke luajtur kështu”.
Zenelaj me zë të ulët thotë se nuk i është nxjerrë maksimumi nga drejtuesit e skuadrave. E ka fjalën për trajnerët që kanë punuar me të. Ndien se ka mundur të japë më shumë.
“Çdo gjë pas luftës ka qenë transicion në Kosovë. Edhe sporti, edhe arti dhe të tjerat fusha. Nuk mund ta shajmë apo kritikojmë dikë për gjërat që kanë shkuar. Çdo gabim që është bërë duhet të përmirësohet në gjeneratat e ardhshme. Unë mendoj se nuk është nxjerrë maksimumi, por nuk i drejtoj asnjërit gishtin. Ka qenë transicion, ka pasur edhe lojtarë të tjerë para meje që janë djegur që nuk ua kanë nxjerrë maksimumin”, është shprehur Zenelaj.
Palestrat e “ngrira”
Lëndimet dhe mungesa e punës profesionale nuk kanë qenë të vetmet sfida me të cilat është përballur Urim Zenelaj. Mbase edhe shumë ish-basketbollistë.
“Është hera e parë që stërvitemi në ambient të ngrohtë gjatë dimrit. Unë kam punuar në temperaturë minus 23 gradë. Ndalej edhe telefoni nga i ftohti. Tani kohët kanë ardhur më të mira dhe shpresoj që për gjeneratat e reja çdo gabim që është bërë do të përmirësohet”, thotë basketbollisti masiv.
Karriera në basketboll i ka sjellë edhe momente emocionuese. Tregon një prej tyre.
“Ka qenë viti 2014, nëse nuk gabohem, kur një numër i madh i qytetarëve të Kosovës vendosën të largoheshin nga shteti. Kam qenë duke luajtur në Ylli, kishim ndeshje ndaj Pejës. I pashë dy djem të rinj në kafe që bënin plane të largoheshin nga Kosova. Por thanë se do ta shtyjnë largimin për të hënën, pasi dëshira e tyre ishte që ta shikonin edhe një ndeshje tonën të dielën. Kjo më ka prekur shumë dhe thashë se çfarë rruge kanë marrë dhe sa e duan basketbollin këtu”, tregon Zenelaj.
Basketbolli ka pasur dhe vazhdon të ketë shumë tifozë në Kosovë. Por basketbollistë cilësorë po dalin pak. Për shembull, Zenelaj është i vetmi qendër klasike prej lojtarëve vendorë. Dhe kjo po zgjat për dekada.
Zenelaj periudhën më të suksesshme e ka pasur tek Ylli. Në edicionin 2016/2017 pati mesatare prej 35 pikësh, 19 kërcimeve e katër asistimeve. Te Sigal Prishtina kishte 17 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime. Te Bashkimi në edicionin 2017/2018 luajti me mesatare prej 24 pikëve, 13 kërcimeve e gjashtë asistimeve, ndërsa për Ponte Prizrenin periudhën më të mirë e pati në edicionin 2018/2019. Kishte mesatare prej 29 pikëve, 22 kërcime e shtatë asistime.
“Njeriu nuk është i kënaqur asnjëherë me atë që ka arritur. Kemi pasur dëshirë që të arrijmë më shumë edhe me Përfaqësuesen. Por kanë qenë shumë rrethana që nuk na është lejuar. Shumë prej nesh për dashurinë që kemi pasur për Kosovën, kemi luajtur të lënduar, të mërzitur e në shumë situata të ndryshme. Mendoj se basketbollin e presin kohë të arta në të ardhmen”, ka thënë Zenelaj.
Fundi i karrierës
Zenelaj për një kohë kontribut ka dhënë edhe për Kosovën. Ai tregon se sa i rëndë ishte refuzimi që ia bëri Shqipërisë.
“Unë, Driloni dhe disa lojtarë të tjerë kemi pasur ftesë edhe nga Shqipëria. Ka qenë e rëndë ta refuzojmë, duke ditur lidhjen emocionale që e kemi ne shqiptarët e Kosovës me Shqipërinë. Por e kemi pritur Kosovën. Ka qenë ëndërr e shumë gjeneratave, emocion dhe ndoshta na ka ndëshkuar emocioni i madh që të mos fitojmë ndeshje. Por tash po piqen edhe lojtarët dhe do të vijnë rezultatet”, thotë ai.
Zenelaj tregon emocionet që ka përjetuar me fanellën e Kosovës. Thotë se sa herë është grumbulluar te Kosova, është lënduar.
“Kombëtarja është një gjë që është pak një ditë për ta përshkruar. Nëse nuk je 100 % i gatshëm, lëndimi ndodh shumë shpejt, pasi nuk mund ta kursesh veten, nuk ta lejon ndërgjegjja. Atje sa herë kam shkuar jam lënduar”.
Urimi aktualisht nuk e sheh veten larg basketbollit. Ndien se prej sportit të koshit do të largohet pas ndonjë lëndimi.
“Nuk e kam menduar, por e di se si do të vijë. Do të vijë pas një lëndimi të madh që thjesht do të bëhem operim dhe nuk do të kthehem më. Kështu që jam i sigurt që do ta lë basketbollin vetëm kur të kem lëndim të madh”, thotë Zenelaj.
Ai u largua nga fusha e basketbollit pas stërvitjes me skuadrën prizrenase. Gjatë daljes nga palestra “Sezai Surroi”, Zenelaj përshëndeti disa të rinj duke i uruar që një ditë t’i realizojnë ëndrrat që ai nuk arriti t’i realizojë – të bëhen yje të NBA-së.