Roganë, shkurt - Atletët kryesorë të Roganës qëndronin afër njëri-tjetrit brenda zyrës së këtij klubi, ndërsa trajneri Zijadin Kryeziu me krenari tregonte trofetë e fituar nga vrapuesit, që vitet e fundit janë pa konkurrencë në Kosovë.
Në zyrë janë vetëm disa nga trofetë më të rëndësishëm që janë fituar në gara, thotë Kryeziu.
Nga një grumbull me trofe dhe medalje të fituara, atletët thonë se i kanë edhe në shtëpitë e tyre.
Trajneri Kryeziu nuk e di se sa është numri i medaljeve, por lë të kuptojë se janë qindra të tilla.
Pas qëndrimit të shkurtër në zyrë, trajneri Kryeziu dha shenjë se duhet të nisen drejt vendit ku për çdo ditë i mbajnë stërvitjet.
Zyra e klubit është më shumë se tri kilometra larg nga vendi i stërvitjeve, që gjendet në mal.
Furgoni që bartte atletët ndaloi afër një shtëpie. Atletët morën rrugën në këmbë drejt shtegut që dërgonte për në mal. Shtegu për në mal ishte rreth një kilometër. Rrugës për në vendin ku stërviten rregullisht, atletët diskutonin për garën e fundit që e patën në kampionatin ballkanik në palestër që u mbajt në Turqi. Pajtoheshin se rezultatet nuk ishin ato që synuan para garës. Por me të arritur te vendi ku atletët i kryejnë stërvitjet, ata ndërprenë diskutimet dhe nisën punën për t’u treguar të suksesshëm në garat e radhës.
Seanca stërvitore zgjati rreth dy orë. Në shtegun ku ushtrojnë atletët më të suksesshëm në Kosovë, vërehej puna e bërë me dorë. Është edhe një shteg tjetër më i shkurtër aty pranë, ndërsa janë edhe disa shkallë të improvizuara dhe një pushimore e thjeshtë.
“Kemi bërë improvizime të shumta, punë vullnetare, shtigje të improvizuara për të arritur deri këtu. Kemi bërë punë ndoshta shumë më shumë se atletët të cilët kanë arritur rezultate, por që në rrethana të tjera kanë punuar. Kurse ne, në këto rrethana që kemi punuar është dashur të punojmë ndoshta shumë. Por ka munguar adaptimi, pasi garat janë mbajtur në rrethana të tjera, jo në rrethana të tilla. Këto detaje na kanë kushtuar, por rezultatet nuk na kanë munguar”, thotë Zijadin Kryeziu, trajner i klubit Rogana.
Stërvitjet në mal janë bazike për atletët e Roganës që thonë se tashmë po stërviten edhe në shtegun e atletikës në terrenin me bari sintetik të Gjilanit. Në të kaluarën atletët është dashur të udhëtonin edhe në Shkup për stërvitje, meqë në Kosovë ka pasur mungesë të shtigjeve të atletikës.
Kryeziu thotë se edhe sot ka mungesë të infrastrukturës. Por, rezultatet nuk i kanë munguar.
“Është e vështirë sot të mendojmë që do të bëhet ndonjëri kampion olimpik, për momentin e kam fjalën. Apo një kampion botëror te seniorët. Shpeshherë vlerësohen finalistët, por te ne nëse je i teti nuk llogaritesh finalist. I teti në atletikë duhet të llogaritet si finalisti në një sport të karatesë. Fatkeqësisht te ne nuk llogaritet ashtu, ndryshe nuk e di pse quhet finalist”, ka shtuar Kryeziu.
Kryeziu insiston se që prej themelimit të klubit atletët e Roganës në shumë disiplina janë të pakonkurrencë
Klubi i atletikës Rogana është themeluar në vitin 2005. Ai thotë se Rogana gjithmonë ka pasur vrapues të suksesshëm të shtigjeve të mesme dhe të gjata. Kryeziu krahas vetes përmend edhe emrat e Shehat Rrudhanit e Lulzim Kallabës.
“Nuk mund t’i numëroj tash për shkak se është një kohë e gjatë dhe secili nga atletët e ka nga një kënd të vet të medaljeve të fituara , ndërsa në zyrën ku ishim janë disa nga to. Shumicën e rekordeve i posedon Rogana, duke nisur nga vrapimi 100, 400, 600, 800, 1000, 1500, 3000, 5000, 10.000 metra, 21 kilometra. Pra, të gjitha rekordet i mbajnë atletët e Roganës, po ashtu edhe te femrat, siç është rekordi i Vijona Kryeziut në 100, 200, 300, 400, 600, 800 metra të cilat janë rekorde, po i ka bërë si atlete e re, si 17-vjeçare. Janë rezultate të senioreve, sidomos në 400 metra, që është rekord. Shumë klube meshkujt nuk i kanë ato rezultate të cilat Vijona i ka arritur. Kanë vendosur një standard të ri e kanë ngritur nivelin e atletikës dhe nuk janë rekorde që peshojnë 600 pikë, por mbi 1000 pikë të Federatës botërore”, thekson Zijadin Kryeziu, ish-atleti i njohur kosovar.
Kryeziu thotë se atletët e klubit të tij i mbajnë ende rekordet e Kosovës. Përkrahja institucionale, sipas Kryeziut, është modeste në krahasim me sukseset dhe rezultatet e ekipit të Roganës. Klubi përkrahjen më të madhe në të kaluarën e ka pasur nga bashkatdhetarët. Përkrahja komunale është e vogël, ndonëse Rogana është klubi i vetëm elitar.
Derisa atletët vraponin në shtegun në mal, trajneri Kryeziu tregonte se në klub aktualisht ka 15 atletë. Shumë prej tyre mbajnë rekorde në shumë disiplina vrapimi.
Njëri prej tyre është Musa Hajdari, që është pjesë e klubit prej themelimit.
Në klubin e Roganës atletët nuk bëjnë dallime mes vete. Hajdari thotë se me gjithë vështirësitë, sukseset nuk u kanë munguar.
“Kemi bërë shumë punë, kemi pasur ndoshta edhe ëndrra shumë më të mëdha, ambicie edhe më të mëdha se që i kemi arritur, por pengesat gjatë rrugës kanë qenë të jashtëzakonshme. Nuk do të thotë se jemi dorëzuar, do të vazhdojmë me punë, jemi duke punuar, na presin shumë aktivitete dhe besojmë se do t’ia dalim me sukses t’i përmbyllim”, tregon Musa Hajdari, atleti i njohur kosovar.
Rogana cilësohet si fshati i mbretëreshës së sporteve, atletikës.
Atleti Astrit Kryeziu thotë se çdo gjë që lidhet me atletikë, lidhet me fshatin Roganë dhe me garuesit e saj. Madje ka bindjen se Rogana edhe në të ardhmen do të jetë klubi më i suksesshëm në atletikë
“Si ekip shquhemi që jemi më shumë se familje. Shumë vite e deri tash e kemi bërë konkurrencën brenda klubit. Jemi shokë në stërvitje, por kur kemi garuar kemi qenë konkurrentë dhe kemi shtyrë njëri-tjetrin përderisa nuk është pranuar Federata jonë në federatat ndërkombëtare. Tash, pas pranimit jemi edhe konkurrentë në garat jashtë vendit. Por të gjitha rezultatet i kemi arritur bashkërisht”, thotë atleti Astrit Kryeziu.
Derisa Ballkaniku për seniorë ishte dështim, në atë U20 u fituan dy medalje. Por jo në vrapime, aty ku shquhen atletët e Roganës.