Përfaqësuesja e Kosovës të premten që vjen përballet me Islandën në stadiumin ‘Loro Boriçi’ në Shkodër në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës ‘Rusi 2018’.
Kosova në këtë ndeshje vjen pas barazimit me Finlandën, dhe tri humbjeve radhazi, kundër Kroacisë, Ukrainës e Turqisë.
Ekspertët e futbollit tonë e vlerësojnë të vështirë ndeshjen kundër islandezëve të cilët ishin befasia e Evropianit 2016. Sipas tyre, Kosova akoma është në ndërtim të skuadrës dhe gjasat e përfaqësues sonë për të bërë diç më të madhe janë të vogla.
Trajneri Afrim Tovërlani i ka thënë KosovaPress-it se nuk jep prononcim për ndeshjet e Kosovës. Ai thotë se për sfidat e Kosovës është deklaruar para tri-katër vjetësh. Megjithatë, ‘Toki’ mendon se gjasat e Kosovës në përballje me Islandën janë minimale.
“Nuk kam dhënë asnjëherë prononcim prej se kanë filluar ndeshjet përfaqësuesja e Kosovës. Unë kam folur para tri-katër vjetësh sa i përket këtyre punëve, kush ka marrë vesh ka marrë vesh. Tash nuk dua as t’i shqetësoj dhe as t’i trazoj ata djem dhe stafin tjetër, por realisht gjasat janë minimale, sepse jemi përfaqësuese në formim e sipër, jemi vonuar shumë në procese, kemi pasur pak ndeshje e në formim e sipër është dashur që të ketë shumë më shumë ndeshje përfaqësuesja e Kosovës, mirëpo derisa është pranuar kanë hezituar futbollistët të vijnë dhe të deklarojnë se do të luajnë për Kosovën dhe e ka ngre problemi problemin dhe jemi këtu ku jemi”, ka thënë Tovërlani.
Ndërkaq, Ismet Munishi, një tjetër trajner i futbollit tonë, mendon se Kosova do të jetë skuadër dinjitoze kundër islandezëve. Ai thotë se tashmë përfaqësuesja jonë ka fituar përvojë të mjaftueshme. Munishi thekson se selektori i Kosovës, Albert Bunjaki e njeh mirë kundërshtarin e radhës, dhe sipas tij, ai do ta përgatis mirë ekipin për këtë ballafaqim.
“Kosova kundër Islandës... besoj se kemi bërë përvojë të mjaftueshme në këto ndeshjet që kemi pasur, kemi zbritur më këmbë në tokë dhe kam bindjen se selektori e njeh mjaft mirë Islandën dhe ma merr mendja se edhe selektori edhe lojtarët do të marrin masat e duhura që ne të shfaqemi dinjitozë kundër Islandës, duke i marr parasysh këta faktorë që i përmenda”, tha ai.
Munishi shton se ka pritur rezultate më të mira të Kosovës në takimet e kaluara. Ai thotë se nuk ka pritur humbje të thellë siç ishte ndeshja me Kroacinë. Munishi është i bindur se tani Kosova është përmirësuar, dhe sipas tij, djelmoshat tonë do të japin më të mirën në mënyrë Kosova të përmirësohet në ranglistën e UEFA-s e FIFA-s.
E asistenti i përzgjedhësit të përfaqësueses sonë, Muharrem Sahiti thekson se Kosova do të jetë e përgatitur mirë për përballjen me Islandën.
Pavarësisht rezultateve jo të mira në takimet e kaluara, Sahiti pohon se Kosova në duelin e radhës do të kërkojë fitore, edhe pse ai e pranon se lojtarëve tonë akoma ju duhet përvoja për ndeshje të tilla. Sahiti thotë se shtabi teknik e ka analizuar mirë skuadrën islandeze, e që sipas tij, forca e tyre është grupi.
“Si çdo ndeshje, si çdo shtab i trajnerëve, ndeshjen hyjmë për ta fituar, pavarësisht nga përvoja, nga mungesa e përvojës që kemi në këto kualifikime, ne prapëseprapë kërkojmë rezultatin maksimal. Sidoqoftë, kemi një kundërshtar i cili ka një përvojë të gjatë në arenën ndërkombëtare, kemi një kundërshtar që vërtet ka lojtarë shumë interesant, ku pjesa më e fortë e tyre është grupi, por kemi analizuar shumë ndeshje të Islandës dhe tash pak a shumë kemi një pasqyre shumë të drejtë së çfarë kundërshtari kemi. Prandaj shpresojmë se ne për ketë kohë sa do të jemi në grumbullim t’i motivojmë lojtarët, t’i përgatisim sa më mirë për t’ju kundërvënë një Islande që nuk është e lehtë”, ka theksuar Sahiti.
Ai është i bindur se Kosova do të bëjë paraqitje të mirë në duel me Islandën.
Ndeshja mes Kosovës dhe Islandës luhet të premten që vjen në ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës dhe nis në orën 20:45.