Sport

Rahoveci vazhdon me fitore, mposht Besën në ndeshjen dramatike

Portieri Arbër Curri bëri pritje në sekondën e fundit për fitoren e Rahovecit në derbin e madh ndaj Besa Famgasit.

Të dielën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci e Besa Famgas zhvilluan derbi të vërtetë. Njëjtë si në dy ndeshjet e kaluara mes Rahovecit e Besës së Pejës, sfida u vendos në aksionet e fundit. Rahoveci fitoi 27:26 në ndeshjen e xhiros së 18-të të Superligës së Kosovës në hendboll.

Rahoveci ka fituar të gjitha ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në tabelë me 36 pikë. Besa Famgas është e dyta me 28 pikë.

Skuadra vendase e nisi ndeshjen me seri 5:0. Por pejanët nuk u dorëzuan. Mbetën në lojë, duke u afruar gradualisht në rezultat. Barazimin skuadra pejane e arriti në minutën e 43-të, 20:20. Më pas kaloi në epërsi prej dy golash, 23:21. Shpejt rezultati u barazua në 23:23. Deri në fund loja ishte shumë e fortë. Për 27:26 realizoi Victor Alonso në minutën e 57-të dhe rezultati më nuk ndryshoi.

Në sekondën e fundit, portieri me përvojë, Curri, ndali gjuajtjen për barazim të Marin Mariqit.

Më efikasi te Rahoveci ishte spanjolli Alonso me tetë gola. Nga katër i kishin Jeton Bislimi, Mali Luzha e Igor Radojeviq. Në momentet vendimtare me tri gola rresht te Rahoveci u shfaq Florian Rexha.

Edhe te Besa Famgas më i dalluari ishte portieri Mursel Memeti. Nga pesë gola i shënuan Nikola Prce e Olsi Mulaj, ndërsa katër i kishte Antonio Vozila.