Sport

Kampioni i Italisë ballafaqohet me Juventusin

Kampioni në fuqi i Italisë, Napoli i Amir Rrahmanit, do të luajë kundër Juventusit në ndeshjen derbi që zhvillohet të dielën.

Ky derbi i takon xhiros së 27-të të Serie A të Italisë dhe luhet në stadiumin “Diego Armando Maradona”, ndërsa nis në orën 20:45.

Juventusi është skuadra që i ka shkaktuar Napolit më së shumti humbje në historinë e Serie A.

“Zonja e vjetër” ka fituar 71 nga 155 ndeshje, ndërsa ka 36 humbje e 48 barazime.

Juventusi e fitoi ndeshjen e parë 1:0. Në rast se e përsërit sërish të njëjtin sukses, atëherë do t’i arrinte dy fitore brenda një edicioni për herë të parë që prej sezonit 2018/19.

Në 11-të ndeshjet e fundit mes Napolit dhe Juventusit në Serie A, të dyja skuadrat kanë fituar nga pesë herë. Janë shënuar plot 18 gola nga napolitanët dhe 16-të nga “bianconerët”.

Napoli nuk ka arritur që ta përsëritë ritmin që e kishte në sezonin e kaluar.

Aktualisht zë pozitën e nëntë me 40 pikë, aq sa ka edhe Lazio në pozitën e tetë.

Juventusi ndërkohë ka 57 pikë në vendin e dytë në tabelë.

Napoli ditë më parë fitoi thellë ndaj Sassuolos 6:1, ndërsa golin e barazimin e realizoi Amir Rrahmani, kapiteni i Kosovës.

Edhe Juventusi në këtë ndeshje vjen pas fitores së vështirë 3:2 ndaj Frosinones.