Sport

Liga Ballkanike pranon se arbitrat vendosën ndeshjen Peja – Prishtina, nuk merr masa ndaj tyre

Arbitri që ishte i dënuar nga FIBA, Ognjen Jokiq, ka drejtuar ndeshjen dramatike dhe të tensionuar mes Pejës dhe Sigal Prishtinës. Ndeshja e së enjtes mbrëma u zhvillua në Gjakovë, ndërsa i takoi Ligës Ballkanike. Dhe Jokiq, që çuditërisht i drejton të gjitha ndeshjet e skuadrave kosovare në Ligën Ballkanike, bëri gabim të rëndë, që kishte ndikim direkt në rezultat. Peja fitoi me rezultatin 87:84, ndërsa fundi i takimit ishte shumë i tensionuar.

Dhjetë sekonda para fundit, Prishtina ishte në epërsi 84:83. Topi erdhi te lojtari i Prishtinës, Henrik Shirko, që u pengua nga dy basketbollistë të Pejës. Arbitri nga Mali i Zi, Jokiq, ishte rreth një metër larg. Por nuk dha faul. Shirko humbi topin, Peja realizoi në kundërsulm për 85:84. Pasoi një reagim i ashpër i trajnerit dhe bankës të Prishtinës. Trajneri i Prishtinës u ndëshkua me gabim teknik. Prishtina më pas u largua nga loja, për t’u kthyer pak minuta më vonë. U dha edhe një gabim teknik. Peja i realizoi dy gjuajtje të lira dhe fitoi me rezultatin 87:84.

Por rrjedha do të ishte tjetër sikur Jokiq të jepte faulin për Shirkon. Dhe fauli ka ekzistuar. Kështu ka vlerësuar vetë Liga Ballkanike të premten, përkatësisht udhëheqës i saj, Shay Shtriks.

“Rezultati përfundimtar i ndeshjes fatkeqësisht u ndikua nga disa vendime të gabuara të arbitrave gjatë tërë ndeshjes ( për të dy palët) e sidomos në dhjetë sekondat e fundit vendimtarë. Referët injoruan një faul të qartë që është bërë nga lojtarët e Pejës në lojtarin e Prishtinës. Pasi referët nuk ndërhynë, lojtari i Prishtinës humbi topin dhe Peja shënoi tre sekonda para fundit”, ka pranuar Liga Ballkanike në një letër që të premten ua ka dërguar të dy klubeve.

Jokiq është ndihmuar nga Sava Cetkoviq dhe Stefan Vukoviq, që po ashtu janë nga Mali i Zi. Zoran Shutuloviq ishte delegat. Edhe ai është nga Mali i Zi.

Liga Ballkanike ka thënë se ky është njëri prej ekipeve të referëve më të mirë që i ka. Ka shkruar se të gjithë janë njerëz të mirë, arbitra të ndershëm e profesionistë. Sipas BIBL-së, këta arbitra kanë punuar shumë mirë deri në ndeshjen e së enjtes.

BIBL vlerëson se arbitrat është dashur ta shmangin gabimin e fundit, që është bërë nga arbitri më me përvojë i kësaj lige, Jokiq.

Letrën e gjatë, BIBL e ka vazhduar duke shkruar se Peja i kishte 13 gabime, Prishtina 16, ndërsa arbitrat shtatë. Ky në fakt është një arsyetim që pak kush mund të pranojë. Por BIBL e ka paraqitur si argument. Dhe ka insistuar se gabimi ishte i paqëllimshëm.

Në letër shkruan se Shay Shtriks dhe BIBL do të përkrahin dhe mbrojnë arbitrat.

“Kur gjyqtarët bëjnë gabime, ata duhet të paguajnë çmimin. Por unë do t’i mbroj gjyqtarët e mi me gjithë fuqinë që kam, nga ndonjë sulm jokorrekt ndaj tyre si arbitra apo si persona privat. Të gjithë janë njerëz të ndershëm, njerëz të mirë dhe arbitra shumë të mirë”, ka shkruar Shtriks.

Ai ka vazhduar se nuk do të lejojë që arbitrat të quhen kriminelë apo mashtrues. Shtriks ka kërkuar fakte nga klubet, në të kundërtën ka rekomanduar që akuzat ndaj arbitrave të shmangen.

Shtriks ka paralajmëruar përsëritje të ndeshjes, nëse i ofrohen fakte se gabimi ishte i qëllimshëm dhe se rezultati ishte caktuar më parë. Nëse nuk ofrohen fakte, rezultati do të mbetet ai i ndeshjes.

Udhëheqësi i BIBL ka kërkuar falje për mënyrën se si rodhi ndeshja. I ka kërkuar falje sidomos Sigal Prishtinës. Shtriks, ka shkruar se do të dëshironte që ndeshja të vendosej vetëm nga lojtarët e trajnerët “por fatkeqësisht gabimet e arbitrave ndonjëherë janë pjesë e lojës dhe ne duhet të jetojmë me këtë dhe të vazhdojmë në ndeshjen tjetër”.

Letra në fakt nuk është asgjë e re në mënyrën e funksionimit të Ligës Ballkanike, që mezi ekziston. Këtë edicion janë vetëm pesë ekipe. Dhe që liga të funksionojë ka mundësuar fillimisht Prishtina duke u bërë pjesë e saj, kur ishin vetëm tri ekipe të paraqitura. Më pas u lajmërua edhe Peja.

Liga Ballkanike për kohë shumë të gjatë ka humbur kredibilitetin. Ndeshja e së enjtes vetëm e dëshmon këtë. Arbitri kosovar, Daut Mehmeti, është suspenduar përjetë nga basketbolli për kurdisje të ndeshjeve kryesisht në këtë ligë. Shumë i dyshimtë për përfshirje në kurdisje ishte edhe Jokiq. Burime të KOHËS kishin thënë se ai ishte personi kryesor prapa dyshimeve për kurdisje. Jokiqi ishte i dënuar nga FIBA deri më 7 gusht të vitit të kaluar, përkatësisht për pesë muaj, për refuzim që të bashkëpunojë në hetimet e FIBA-s.

Por është kthyer në referim dhe si në asnjë ligë tjetër regjionale apo shtetërore, ka drejtuar të gjitha ndeshjet e deritashme të skuadrave kosovare në BIBL. Kjo edhe për faktin se Liga Ballkanike nuk ka referë të mjaftueshëm.

Federata e Basketbollit e Kosovës ka shumë kohë që ka shkëputur të gjitha raportet me Ligën Ballkanike, për shkak të qasjes jo të mirë të Shtriksit e sidomos pas dyshimeve të fuqishme për kurdisje të rezultateve. FBK-ja, çuditërisht, dha leje që Prishtina e më pas Peja të garojnë në Ligën Ballkanike këtë edicion. Por nuk lejoi arbitrat e saj në këtë ligë.

Nga Prishtina deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar. Në fakt edhe nëse del me ndonjë reagim, pak kush do ta kuptojë Prishtinën. Kjo pasi vendosi të bashkohet me një ligë që ka humbur kredibilitetin dhe që ishte shumë e dyshimtë për kurdisje rezultatesh.