Sport

Shaqirit i tërhiqet sërish leja për ndërtimin e vilës luksoze, rasti në gjykatë federale

Descriptive Text

Yllit të futbollit Xherdan Shaqiri, i është anuluar sërish leja për ndërtimin e një vile luksoze në Rheinfelden AG të Zvicrës, raporton “Blick”.

Reprezentuesi i Zvicrës do t’i drejtohet instancave më të larta të gjykatës federale në lidhje me këtë.

Shaqiri planifikon ndërtimin e një vile që do të kushtonte gati tre milionë franga zvicerane. Por, projekti po i rrezikohet me heqjen e lejes së ndërtimit.

Një përballje të ngjashme ligjore kishte pasur edhe legjenda e tenisit Roger Federer. Por, atij i ishte lëshuar në fund leja e ndërtimit dhe është duke e ndërtuar vilë luksoze.

Mirëpo, Shaqiri 32-vjeçar po vazhdon betejën.

Qyteti Rheinfelden AG i kishte dhënë atij leje ndërtimi qysh në gusht të vitit 2022. Pasi publikimit të projektit dhe aplikimit për ndërtim në pranverën e vitit 2021, kishte pasur katër kundërshtime. Ndër to u kritikuan hijet, emetimet e dritës dhe një gjelbërim shumë i vogël.

Këto kundërshtime fillimisht u zbutën përmes korrigjimit të projektit, për këtë arsye u miratua kërkesa për ndërtim. Megjithatë, leja nuk ishte ende ligjërisht e detyrueshme, ankuesit kishin 30 ditë për të bërë ankesë dhe leja u tërhoq.

Kanë kaluar një vit e gjysmë që nga atëherë dhe asgjë nuk ka ndodhur.

“Njerëzit gjithmonë kalojnë duke pyetur se si po shkon këtu”, ka thënë një banor i lagjes Kapuzinerberg në Rheinfelden, për “Aargauer Zeitung”.

Herë pas here prindërit e Shaqirit kujdesen për kopshtin, përndryshe gjithçka është e qetë rreth pronës ku Shaqiri planifikonte të ndërtonte vilën rreth 3-milionëshe.

Siç ka thënë gazeta zvicerane, nuk mund të bëhet asgjë momentalisht në pronë psai çështja është ende në pritje.

“Procedurat janë duke u zhvilluar dhe leja e ndërtimit nuk është ende ligjërisht e detyrueshme”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i qytetit Roger Edin.

Prandaj çështja është në gjykatën federale – me sa duket për shkak të Shaqirit.

Siç ka mësuar “Aargauer Zeitung”, gjykata administrative – shkalla e parë e gjykatës federale – “anuloi lejen e ndërtimit dhe miratoi ankesën e lagjes”. Shaqiri tashmë po e sfidon vendimin në nivel më të lartë.

Vila 270 metra katrorë do të kishte një kinema, një pishinë të hapur, një dhomë fitnesi, katër dhoma gjumi dhe gjashtë banja. Në katin e parë është planifikuar edhe një apartament për gjyshen. Por, është e paqartë nëse idetë mund të vihen në praktikë. Nuk dihet se kur mund të pritet një vendim përfundimtar.