Sport

Muriqi ëndërron ta fitojë Kupën e Mbretit me Mallorcan

Descriptive Text

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, shpreson ta fitojë Kupën e Mbretit me Mallorcan. Ai ka thënë se është një hap më afër drejt realizimit të ëndrrës.

Muriqi me Mallorcan siguruan finalen e Kupës së Spanjës në futboll, pasi të martën mbrëma mposhtën në gjysmëfinale Real Sociedadin pas penalltive.

Ndeshja e parë në Mallorca kishte përfunduar pa gola, ndërsa në ndeshjen e kthimit, të martën në San Sebastian, rezultati pas kohës së rregullt ishte 1:1. Pasi nuk pati fitues edhe pas 30 minutave shtesë, ndeshja shkoi në penallti. Mallorca fitoi 5:4, pas goditjeve nga pika e bardhë.

Muriqi realizoi penalltinë e parë për Mallorcan. Ai u paraqit nga minuta e 62-të ndërsa u ndëshkua me karton të verdhë. Muriqi është një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Mallorcas, por të martën u paraqit si zëvendësues.

“Ne nuk mendojmë dhe nuk kemi frikë nga dështimi. E vetmja gjë për të cilën mendojmë është lavdia. Është hapi i fundit për të realizuar një ëndërr. Do të arrijmë ta fitojmë me gjithë ju”, ka shkruar Muriqi të mërkurën në “Instagram”.

Ai ka postuar një fotografi duke festuar këtë sukses bashkë me pjesën tjetër të ekipit. Mallorca vetëm një herë e ka fituar Kupën e Spanjës në vitin 2003.

“Synojmë sukses edhe në finale. Nuk do të jetë e lehtë, por do të provojmë ta fitojmë këtë trofe të rëndësishëm. Jemi të lumtur që siguruam finalen”, ka thënë trajneri i Mallorcas, Javier Aguirre.

Mallorca në finale do ta presë fituesin e gjysmëfinales tjetër në mes të Atletico Madridit e Athletic Bilbaos.

Bilbao fitoi ndeshjen e parë në udhëtim me rezultatin 1:0, ndërsa të enjten mbrëma do të jetë nikoqire në ndeshjen e kthimit.

Muriqi, 29-vjeçar, ka shënuar pesë gola në 21 ndeshje këtë edicion, ndërsa ka bërë edhe dy asistime. Ai është bërë lojtari më i pëlqyer nga tifozët e Mallorcas.

Prizrenasi më herët ka thënë se dëshira e tij është që t’i gëzojë shikuesit me ndonjë trofe.

“Do të doja që së bashku me tifozët të festonim. Do të ishte diçka e madhe për mua, tifozët dhe qytetin”, pati thënë Muriqi për KOHËN.

Mallorca në finale të Kupës do të luajë për herë të katërt. Finalja e Kupës së Spanjës zhvillohet më 6 prill në Sevilla.