Pas fitores ndaj skuadrës së Atletico Madridit në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve në ndeshjen e parë, Interi tani kthehet në elitën e futbollit italian.
Interi të dielën në orën 18:00 luan në udhëtim te Lecce.
Ndeshja i takon xhiros së 26-të të Serie A të Italisë.
Interi është lider me 63 pikë me një ndeshje më pak të luajtur, ndërsa Lecce ka 24 pikë në vendin e 13-të. Lecce i ka humbur shtatë nga nëntë ndeshjet e fundit dhe po lufton për mbijetesë.
“Nerazzurrët” me triumfin ndaj Atleticos kanë ecuri prej nëntë fitoreve të njëpasnjëshme në të gjitha garat.
Prapa Interit janë Juventusi me 54 pikë dhe Milani me 52 pikë.
Të mërkurën, Interi e zhvillon ndeshjen e mbetur me Atalantan.
Juventusi të dielën në mesditë e pret Frosinonen, kurse Milani luan ndaj Atalantas në shtëpi të dielën në orën 20:45.
Kampioni në fuqi i Italisë, Napoli, me trajnerin e ri Francesco Calzona, barazoi në ndeshjen e parë kundër Barcelonës 1:1 të mërkurën, në 1/8 e finales së “Championsit”.
Në fundjavë, Napoli të dielën luan në udhëtim te Cagliari nga ora 15:00.
Calzona e zëvendësoi Walter Mazzarin dhe u bë trajneri i tretë i skuadrës në këtë edicion.