Asistimi i Arbër Hoxhës ka qenë vendimtar në kualifikimin e Dinamos së Zagrebit, në 1/8 e finales së Ligës së Konferencës.
Hoxha dhe Dinamo e Zagrebit të enjten mbrëma në “Maksimir” barazuan 1:1 me Real Betisin.
Por, fitorja 1:0 në udhëtim, ka ndikuar që skuadra e madhe kroate të kalojë tutje.
Spanjollët kaluan në epërsi në minutën e 38-të me golin e shënuar nga Cedric Bakambu.
Megjithatë, Takuro Kaneko i barazoi shifrat në minutën e 59-të dhe rezultati nuk ndryshoi më.
Hoxha nga krahu i majtë depërtoi mirë dhe harkoi zhargas me të majtën. Kaneko nuk e pati të vështirë për ta shtyrë topin në rrjetë.
Futbollisti kosovar luajti deri në minutën e 86-të në suksesin e Dinamos së Zagrebit.
Hoxha në edicionin aktual ka pesë gola të shënuar e katër asistime në 27 paraqitje në të gjitha garat.
Ai në janar të këtij viti u transferua nga Slaven Belupo.