Sport

Messi mund të paraqitet në Lojërat Olimpike

Lionel Messi

Lionel Messi mund të përfshihet në Përfaqësuesen e Argjentinës për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Argjentina është kualifikuar për turneun olimpik dhe mund ta ftojë Messin. Por gjatë verës do të zhvillohen edhe ndeshjet e Kupës së Amerikës dhe kjo mund ta lë Messin jashtë formacionit të Argjentinës.

Megjithatë ka shpresë që selektori i Përfaqësueses U23, Javier Mascherano do t’i bëjë ftesë tetë herë fituesit të “Topit të Artë”.

“Kuptohet që në verë do të luhet Kupa e Amerikës dhe nuk është e lehtë. Për këtë arsye do të jemi të kujdesshëm, por padyshim që do të flasim për gjithçka. Ne jemi miq dhe kemi një marrëdhënie të mirë. Unë si trajner, padyshim që kam detyrim ta ftoj, por do ta kuptoja për shkak të angazhimeve të tjera. Ka kohë për të folur rreth kësaj çështje”, ka thënë Mascherano.

Messi udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës “Katari 2022”.