Sport

Selektori i Sllovenisë flet me respekt për Shqipërinë: Assesi nuk bën të nënçmohet

Ndonëse është në grupin më të vështirë të mundshëm në Kampionatin Evropian të futbollit, Shqipëria nuk bën të nënçmohet. Kështu ka thënë selektori i Sllovenisë, Matjazh Kek.

Trajneri i njohur slloven ka udhëhequr përfaqësuesen e tij drejt Evropianit që mbahet verën e ardhshme në Gjermani. Ai flet vazhdimisht për mediat kroate lidhur me shortin e së shtunës së kaluar dhe për Evropianin. Kek vazhdimisht po flet me shumë respekt për kuqezinjtë.

Shqipëria llogaritet autsajdere e Grupit B të “Euro 2024” ku janë edhe Spanja, Kroacia e Italia. Të tri këto përfaqësuese janë të nivelit më të lartë evropian.

Keku nuk pajtohet që një grup, në këtë rast Grupi B, të llogaritet “i vdekjes”.

“Nëse duhet të brengoset dikush, atëherë është dikush tjetër, jo Kroacia, që është e dyta dhe e treta në botë, finaliste e Ligës së Kombeve. Qartë se nuk është grupi më i lehtë për Kroacinë. Luani ndaj Spanjës e Italisë dhe kjo është motivuese për lojtarët. Por një gjë dua ta theksojë posaçërisht – Shqipëria assesi nuk bën të nënçmohet. Shqipëria në grupin e saj ishte e para. Shqiptarët janë jashtëzakonisht të papërshtatshëm”, ka thënë Matjazh Kek të mërkurën për “net.hr”.

Në një intervistë tjetër, përzgjedhësi slloven kishte theksuar se Kroacia do ta ketë më vështirë ndaj Shqipërisë se ndaj Spanjës e Italisë. Italia është kampione në fuqi e Evropës.

“Derisa Kroacia kishte rezultate të shkëlqyera, italianët nuk ishin në dy Botërorë rresht. Sigurisht që Kroacia më lehtë do të futet në luftë me Italinë se me ndonjë ekip që nuk vlerësohet aq lartë, por që është e rrezikshme. Jam i bindur që kroatët më vështirë do ta kenë me Shqipërinë, që e ka fituar grupin, se ndaj Spanjës apo Italisë”, ka thënë Kek për “index.hr”.

Shqipëria luan më 15 qershor ndaj Italisë. Më 19 qershor takohet me Kroacinë, ndërsa më 24 qershor me Spanjën.

Ndërkohë Sllovenia është në Grupin C së bashku me Danimarkën, Serbinë dhe Anglinë. Matjazh Kek e udhëheq Slloveninë prej vitit 2018. Sllovenia për herë të vetme në Evropian ka luajtur në vitin 2000.