Christos Marmarinos ka lëshuar akuzat e fyerjet më të rënda deri më tani nga një trajner që ka punuar në sportin kosovar. Greku Marmarinos për disa vjet ka drejtuar përfaqësuesen e Kosovës në basketboll, ndërsa për një radio në Greqi së fundi ka folur “zi e terr” për Kosovën dhe basketbollin e saj.
Ai ka thënë se lojtarët e Kosovës nuk e kanë njohur legjendën Michael Jordan, se një lojtar është marrë nga fusha e patateve, se salla ku ka luajtur Kosova ishte plot me vrima, se lojtarët e Kosovës ishin amatorët dhe kanë përzier lojtarët që duhet të mbulojnë, se trajnerët nuk kanë ditur të bëjnë analiza. Marmarinos ka thënë se në Kosovë mungon kultura sportive, ndërsa ka vlerësuar se Kosova është në nivelin ku Greqia ishte në vitet ‘70 të shekullit të kaluar.
Në Federatën e Basketbollit të Kosovës kanë mbetur të shokuar me akuzat dhe fyerjet e teknikut grek. Sekretarja e përgjithshme, Elvira Dushku, ka theksuar se sa ishte në krye të Kosovës, Marmarinos ka pasur fjalët më të mira për organizimin dhe për profesionalizmin e FBK-së.
Në fakt deklaratat e Marmarinos dallojnë shumë me deklaratat që ky trajner i kishte dhënë sa ishte në krye të Kosovës.
“U kam thënë djemve se duam të sjellim energji pozitive, sepse përfaqësojmë shtetin, përfaqësojmë Kosovën. Të luash për Kosovën është shumë mirë, por pa tifozë është e tmerrshme. Megjithatë lojtarë duhet të mësohen”, kishte thënë Marmarinos në shkurt të vitit 2021.
“Mendoj se nuk ka nder më të madh se ta përfaqësosh vendin tënd në garat ndërkombëtare. Basketbollistët e Kosovës e dinë rëndësinë e ndeshjeve dhe sigurisht se presim që do të japin maksimumin në parket”, ishte një deklaratë e Marmarinos më 22 nëntor të vitit 2021.
Për çështjen e infrastrukturës ka pasur akuza e fyerje edhe më herët. Një pjesë e palestrave vazhdojnë të jenë të ftohta. Por si asnjë selektor tjetër, Marmarinos ka njollosur qasjen e lojtarëve, nivelin e tyre, por edhe kulturën e përgjithshme sportive në Kosovë.
FBK-ja nuk e kishte përkrahjen e të gjithëve kur vendosi për selektor nga Greqia. Dhe fyerjet e fundit të Marmarinos vetëm kanë dëshmuar se qëndrimet e tilla ishin të arsyeshme.