Sport

Spanja, përfaqësuesja e talenteve të mëdha dhe pretenduesja e vazhdueshme

Pavarësisht gjeneratës që ka, Spanja në Kampionat Evropian udhëton vazhdimisht për të shkuar deri në fund. Kështu do të jetë edhe në Euro 2024.

Spanja aktualisht në përbërje ka supertalentë, por edhe lojtarë cilësorë me përvojë.

Shqipëria e luan ndaj Spanjës ndeshjen e fundit në grup në Evropianin e verës së ardhshme në Gjermani. Ndeshja Shqipëri – Spanjë zhvillohet më 24 qershor në Duesseldorf nga ora 21:00.

Për shortin e Evropianit, të tërhequr të shtunën, Spanja ishte në vazon e parë. Pra, të paktën në letër, është përfaqësuesja më e fortë në Grupin B.

Spanjollët kishin kualifikime solide. E fituan Grupin A, duke mbledhur 21 pikë nga tetë ndeshje. Kishin shtatë fitore dhe një humbje. Humbjen ua shkaktoi Skocia, më 28 mars të këtij viti. Por më pas, Spanja rreshtoi gjashtë fitore për të mos lejuar befasi. Prapa Spanjës në grup mbetën Skocia, Norvegjia, Gjeorgjia dhe Qipro.

Spanja e ka fituar Evropianin për herë të parë në vitin 1964. E fitoi dy herë rresht më pas, në vitin 2008 dhe 2012. Në vitin 2016 u ndal në një të tetën e finales, ndërsa në vitin 2020 arriti në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale ishte mposhtur me penallti nga Italia. Sa u takon Botërorëve, Spanja ishte kampione në vitin 2010. Në vitin 2013 në Brazil u ndal në fazën e grupeve. Ndërsa në dy Botërorët e fundit u eliminua në një të tetën e finales. Vjet në Katar e eliminoi Maroku.

Spanja ka fituar trofe të rëndësishëm edhe këtë vit. E fitoi Ligën e Kombeve të UEFA-s. Në finale, më 18 qershor, e mposhti Kroacinë me penallti në Roterdam. Në gjysmëfinale kishte fituar 2:1 ndaj Kroacisë, më 15 qershor. Kroacia e Italia janë në grup me Spanjën e Shqipërinë në Euro 2024. Rrjedhimisht grupi nuk do të mund të ishte më i vështirë për kuqezinjtë.

Luis de la Fuente është përzgjedhës i Spanjës. Alvaro Morata është kapiten, ndërsa lojtarët e Spanjës luajnë në klubet më të mëdha në botë.

Natyrisht, Spanja është superfuqi e futbollit botëror. Ka dy prej klubeve prej më të mëdhave në botë, nëse jo më të mëdhatë.

“Niveli është shumë i lartë. Të gjitha grupet janë të vështira, komplekse, por grupi ynë mund të jetë i nivelit më të lartë”, ka thënë De La Fuente.

“Do të luajmë në Kampionat Evropian dhe të gjithë e dimë se është shumë vështirë. Është shumë vështirë edhe për ekipet që luajnë ndaj Spanjës. Por kjo do të bëjë që të jemi të koncentruar nga fillimi. E dimë saktësisht si të luajmë ndaj Italisë dhe Kroacisë. Edhe Shqipëria është ekip i rrezikshëm. Italia nuk ishte në vazon e parë, por është e sigurt që askush nuk e ka dëshiruar atë. Potenciali i Italisë është më i madh se ai që po e shfaq momentalisht”, ka shtuar selektori spanjoll.

Shqipëria e Spanja janë takuar tetë herë deri më tani. Të gjitha ndeshjet i kanë fituar spanjollët. Më 21 mars të vitit të kaluar, Spanja kishte fituar 2:1 në miqësore. Në vitin 1990, Spanja madje kishte fituar 9:0 ndeshje kualifikuese për Euro 1992.

LEXO EDHE: