Sport

Italia, kampionia në fuqi që synon kthimin te suksesi

Duket pak e besueshme që kampionia në fuqi të jetë vetëm në vazon e fundit në shortin për Kampionat Evropian. Por kjo ndodhi me Italinë.

Vendosjen e përfaqësueseve nëpër vazo UEFA e bëri në bazë të rezultateve të arritura në kualifikimet për Euro 2024. Rrjedhimisht Shqipëria si fituese e grupit kualifikues ishte në vazon e dytë, ndërsa Italia si e dyta në grup tjetër kualifikues, ndonëse kampione në fuqi, u vendos në vazon e katërt.

Prej vazos së parë në Grupin B të Evropianit “Gjermania 2024” është Spanja, ndërsa prej vazos së tretë Kroacia.

Ndeshja Itali – Shqipëri zhvillohet më 15 qershor nga ora 21:00 në Dortmund. Italia llogaritet favorite e madhe, ndonëse kualifikimet dhe vazot nuk e dëshmojnë këtë.

Derisa Shqipëria fitoi grupin me Çekinë dhe Poloninë, Italia me shumë mund siguroi kualifikimin nga Grupi C, ku ishin edhe Anglia, Ukraina, Maqedonia e Veriut dhe Malta.

Italisë i duhej barazimi në ndeshjen e fundit ndaj Ukrainës, të luajtur në Leverkusen të Gjermanisë, për ta siguruar vendin e dytë në grup. Me shumë mund barazoi pa gola dhe u kualifikua. Grupin e fitoi Anglia me 20 pikë, ndërsa Italia në vendin e dytë dhe Ukraina në vendin e tretë i kishin nga 14 pikë. Italia u rendit e dyta për shkak të bilancit më të mirë në ndeshjet e ndërsjella me Ukrainën.

Pavarësisht kualifikimeve të vështira, por edhe viteve të vështira së fundi, Italia në “Euro 2024” llogaritet shumë seriozisht. Madje pritet që të shkojë shumë larg në Evropianin në Gjermani. Nuk ka se si të vlerësohet ndryshe për kampionen në fuqi. Italia ka ngadhënjyer në “Euro 2020” duke e mposhtur në finale Anglinë me penallti.

Italianët kanë dy tituj të Evropës, ndërsa në vitin 2000 dhe 2012 u mposhtën në finale. “Azurët” kanë edhe katër tituj të botës, të fundit në vitin 2006. Në vitin 2010 dhe 2014 u ndalën në fazën grupore në Botëror. Në ngjarjen globale, befasisht, munguan në vitin 2018 dhe vitin e kaluar. Pra nuk u kualifikuan për “Katari 2022”, ndonëse ishin kampionë në fuqi të Evropës.

Në Ligën e Kombeve të UEFA-s, këtë vit, Italia ishte e treta. Kishte pësuar 2:1 nga Spanja në gjysmëfinale, ndërsa kishte fituar 3:2 ndaj Holandës në ndeshjen për vend të tretë. Në finale, Spanja kishte fituar ndaj Kroacisë me penallti.

Derisa tre kundërshtarët e Shqipërisë në Euro 2024, ishin në turneun final të Ligës së Kombeve, kuqezinjtë ishin në vendin e tretë në Ligën B, pas Izraelit dhe Islandës. Kjo dëshmon ngritjen e madhe të Shqipërisë nën urdhrat e selektorit Sylvinho.

“Kundërshtarët janë mësuar të luajnë në finalet e Evropianit dhe të Botërorit. Por ne duhet të provojmë mundësitë tona. E kemi bërë këtë ndaj Çekisë dhe Polonisë. Gjatë 90 minutave lojë, mund të ndodhë gjithçka”, ka thënë Sylvinho.

Ndikimi i futbollit italian në futbollin e Shqipërisë është shumë i madh. Në Kombëtare po ashtu. Shumë prej lojtarëve të rëndësishëm të Shqipërisë luajnë në Serie A.

Luciano Spalletti është selektor aktual i Italisë. Ai udhëhoqi Napolin drejt titullit të kampionit në edicionin e fundit. Spalleti ka thënë se nuk duhet të harrohet që “ne jemi Italia”.

“Është vështirë të bëhen parashikime tani. Ka ende shumë muaj deri në Evropian. Qartë se Shqipëria ka dëshmuar se është e organizuar mirë. Shumë do të varet nga forma jonë në atë moment”, ka thënë Spalletti.

Shqipëria ka humbur katër ndeshjet e deritashme me Italinë. Por nëse synon ta kalojë grupin në Euro 2024, Shqipëria duhet të marr pikë ndaj Italisë në ndeshjen hapëse. Kjo do të rriste gjasat për sukses në ndeshjet tjera në grup, me Kroacinë dhe Spanjën.

LEXO EDHE: