Bratislava, 30 nëntor - Udhëtimi i Francesco Calzonas e ka çuar atë nga shitësi i kafesë në kualifikimin e Sllovakisë në “Euro 2024”, dhe në shortin e së shtunës trajneri shpreson të shmangë vendlindjen e tij, Italinë, të paktën deri në fazën e eliminimit. Sllovakia e Calzonas është në vazon e tretë për shortin, e renditur mbi kampionen në fuqi, Italinë që është në vazon e katërt. Por, Calzona do të preferonte të mos ishte në të njëjtin grup me ekipin e Luciano Spallettit, një trajner me të cilin ka punuar më parë.
“Do të doja të shmangia Italinë në fazën e grupeve, pasi është kundërshtar i fortë dhe i udhëhequr nga një prej trajnerëve më të mirë në botë”, pranoi Calzona të enjten. “Ndoshta pas fazës së eliminimit do të ishte më mirë të takoheshim me Italisë, pasi kjo do të thoshte se ne kemi arritur një tjetër sukses”.
Trajneri italian tashmë ka sfiduar pritshmëritë duke e çuar Sllovakinë në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani. Ai mori drejtimin e Sllovakisë në vitin 2022, në fund të kampanjës të Ligës së Kombeve që i pa ata të përfundonin të tretit në grupin e tyre të Ligës C.
“Të bashkosh 25-30 lojtarë nga të paktën 11 ose 12 kampionate të ndryshme me role dhe mentalitete të ndryshme ishte pjesa më e vështirë”, shpjegoi Calzona. “Të bësh që të gjithë të mendojnë në të njëjtën linjë dhe në një kohë të shkurtër ishte vërtet e vështirë”.
Në një grup kualifikues të Evropianit 2024, që përmbante Portugalinë, Luksemburgun, Islandën, Bosnjë e Hercegovinën dhe Lihtenshtajnin, Sllovakia përfundoi e dyta. Kishte pesë pikë me shumë se Luksemburgu, duke pësuar vetëm dy ndeshje, të cilat ia shkaktoi Përfaqësuesja e Portugalisë.
“Kishte një kimi të bashkim mes të gjithë komponentëve, federatës, stafit dhe lojtarëve. Kjo bëri që ti përmbysnim parashikimet që nuk na shihnin si favoritë”, tha Calzona. “Unë jam shumë i lumtur, natyrisht, por më së shumti jam i lumtur për popullin sllovak dhe federatën”.
Arritja e Calzona është edhe më e jashtëzakonshme pasi ky është roli i tij i parë si trajner, duke pasur parasysh se karrierën e ka kaluar si asistent. Ai ka punuar me Maurizio Sarrin në tetë klube të ndryshme, përfshirë Empolin e Napolin, dhe Calzona u kthye në Napoli në vitin 2021 si asistent i trajnerit aktual të Italisë, Spalletti. Calzona ishte i lumtur që u kthye në Napoli, por kur Sllovakia i bëri ofertë, ai vendosi se ishte koha për të marrë rrezikun për të shkuar i vetëm.
“I dua sfidat e vështira, zona e rehatisë nuk është për mua. Më pëlqen të ndjej adrenalinën, nuk mund ta dija si do të shkonte, por ia vlente", tha 55-vjeçari.
Mundësia për të menaxhuar Sllovakinë erdhi përmes një ish-lojtari të Napolit, Marek Hamsik, me lojtarin që ka më së shumti paraqitje dhe gola të shënuar për vendin e tij. Hamsik, në fakt ia sugjeroi emrin e Calzonas zyrtarëve të federatës sllovake.
“Marek më telefonoi duke më pyetur nëse isha i interesuar për një intervistë me federatën, më vuri në kontakt me ta, u takuam, biseduam dhe u njohëm, më pas më ofruan kontratën. Napoli ishte zona ime e rehatisë, ku isha i respektuar nga të gjithë dhe nuk doja asgjë por, siç e thashë edhe më parë, më pëlqejnë sfidat”, insistoi Calzona.
Kjo do të jetë paraqitja e tretë radhazi e Sllovakisë në Evropian dhe sfida e radhës e Calzona është të përpiqet të arrijë në fazën nokaut, në të cilën Sllovakia arriti në vitin 2016.
“E vetmja gjë që mund të them është se ne do të luajmë gjithmonë për të fituar, atëherë nëse kjo nuk ndodh do të jetë vetëm sepse kundërshtarët do të jenë më të mirë se ne”, tha italiani.
Ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe i pamundur për Calzonan, që nga koha e tij si shitës kafeje 20 vjet më parë për t'u bërë një trajner ndërkombëtar futbolli.
“Ka qenë magjepsëse, ajo periudhë më bëri të kuptoj shumë gjëra, ishte një eksperiencë fantastike që e kujtoj me shumë dëshirë”, tha ai. “Ende disa klientë më telefonojnë duke më kërkuar kafe”.