Sport

Fitojnë Struga e Shkëndija, Gostivari barazon me Shkupin

Skuadrat shqiptare të Maqedonisë së Veriut të mërkurën zhvilluan ndeshjet e xhiros së 16-të.

Kampionia në fuqi e elitës së futbollit të Maqedonisë së Veriut, Struga, mposhti në udhëtim Vardarin, me rezultatin 3:1.

Vangjel Zguro nga penalltia në minutën e gjashtë, Hadis Tairi dy minuta më vonë dhe Bassirou Compaore në minutën e 62-të, i shënuan golat e fitores për struganët.

Shkëndija fitoi 2:0 në shtëpi kundër Rabotniqkit.

Skuadra tetovare triumfoi falë golave të Adenis Shalës në minutën e 59-të dhe të Eraldo Cinarit në minutën e dytë të kohës shtesë.

Gostivari dhe Shkupi u ndanë baras, pa gola, kurse Voska Sport u mposht në shtëpi ndaj Tikveshit.

Shkupi dhe Shkëndija prijnë në tabelë me nga 32 pikë, dy më shumë se Struga e vendit të tretë.

Gostivari është i shtati me 20 pikë, ndërsa Voska Sport ka 16 pikë në vendin e 11-të.