Sulmuesi i Ballkanit, algjeriani Walid Hamidi është shpallur futbollisti më i mirë i xhiros së 15-të në Superligën e Kosovës në futboll. Hamidi ka fituar çmimin “Ylli i Javës” pas vlerësimit të komisionit të veteranëve të futbollit, ka njoftuar FFK-ja të mërkurën.
Sipas komisionit, Hamidi ishte më i miri në fitoren e Ballkanit 2:0 ndaj Malishevës, pasi ishte protagonisti kryesor me dy asistime në këtë triumf. Për Hamidin, kjo është hera e parë që nderohet me këtë çmim, ndërsa ka thënë se shpreson ta ndihmoj Ballkanin për ta fituar titullin e kampionit këtë edicion. “Jam shumë i lumtur për këtë trofe, ku u zgjodha si lojtari i javës. Kam mësuar shumë nga trajneri dhe nga bashkëlojtarët e mi të mirë. Falënderoj të gjithë grupin tonë. Këtë fitore e arritëm së bashku. Shpresojmë të jemi përsëri kampionë sepse e meritojmë. Ndeshja shkoi mirë. Sidomos në pjesën e parë luajtëm shumë mirë dhe arritëm të shënonim 2 gola. Po ashtu, edhe pjesa e dytë ishte një shfaqje e mirë e lojës. Çdo ndeshje është e rëndësishme për ne. Jemi të përqendruar në çdo lojë dhe pse jo, të jemi përsëri kampionë”, tha Walid Hamid për faqen zyrtare të FFK-së.