Sport

Futbollistet e Kosovës po përgatiten për fitore ndaj Bullgarisë

Futbollistet e Kosovës kanë nisur të martën përgatitjet për ndeshjen ndaj Bullgarisë. Ndeshja Kosovë – Bullgari zhvillohet të premten prej orës 13:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Kosova është zhvendosur në Podujevë për shkak të mbylljes së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndeshja është e fundit e edicionit të parë të Ligës së Kombeve. Kosova kërkon fitore për të kaluar në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Udhëheq në Grupin 5 të Ligës C me shtatë pikë nga tri ndeshje. Bullgaria i ka katër pikë nga dy ndeshje, ndërsa Maqedonia e Veriut është e fundit. Ka humbur tri ndeshjet e deritashme.

Kosova ka fituar dy ndeshjet me Maqedoninë e Veriut, ndërsa me Bullgarinë kishte barazuar pa gola në Plovdiv, më 26 shtator.

Futbollistet e Kosovës kanë ushtruar të martën në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

“Stërvitja e parë shkoi mirë. Ishte kënaqësi të shihja vajzat duke u stërvitur. Natyrisht se të gjithë kanë dëshirë të luajnë në diell, por është përparësi pasi jemi përgatitur edhe për ndeshje me mot me shi. Kemi pasur rezultate të mira. Kundër Bullgarisë të gjitha rezultatet janë të mundshme. Duhet të punojmë shumë sepse Bullgaria nuk është kundërshtare e lehtë. Ka një ekip shumë të mirë. Sivjet jemi përballur katër herë me këtë kundërshtare dhe secila lojë ishte më e vështirë se tjetra. Siç i njohim ne, edhe ata na njohin neve, prandaj duhet të jemi sa më të përgatitura”, ka theksuar selektorja e Kosovës, suedezja Anneli Andersen.

Të mërkurën, futbollistet e Kosovës vazhdojnë përgatitjet në Podujevë.