Te Ballkani i Suharekës kanë konfirmuar që ndeshja me Viktoria Plzenin do të luhet në “Air Albania” në Tiranë.
Duket e pabesueshme, por Kosova nuk ka asnjë stadium që plotëson kushtet për ndeshje të kupave evropiane. Ndeshja e kampionit kosovar me skuadrën çeke është të enjten.
“Po, ndeshja do te zhvillohet ne ‘Air Albania’. Aktualisht gjendja e stadiumit në Prishtinë nuk është aspak e mirë, kështu që është dashur të gjendet një alternativë. Më e mira ishte zhvendosja nga kryeqendra e Kosovës në atë të Shqipërisë”, ka thënë Kushtrim Reshitaj, zëdhënës i Ballkanit.
“Duke qenë se jemi skuadra e vetme shqiptare që luajmë në Evropë, mbështetje të madhe vazhdimisht kemi edhe ashtu nga të gjitha trojet, andaj kjo ndeshje në Tiranë do të jetë mundësi për shumë tifozë nga Shqipëria që të na ndjekin nga afër. Përbërja e Ballkanit është një kombinim i futbollistëve nga shumë vise shqiptare, e tillë është edhe vetë Kombëtarja që u kualifikua për Evropian, andaj ky duel në ‘Air Albania’ do të jetë i veçantë sepse luajmë aty ku u arrit suksesi historik i Shqipërisë”, ka shtuar Reshitaj.